Drejtësia

Lirohen 4 të arrestuarit për zjarrin që dogji pallatin në Tiranë

Gazeta Si – Gjykata e Tiranës ka liruar të ndaluarit në lidhje me zjarrin në pallatin e “Arlis” pranë zonës te “Farmacia 10” në kryeqytet.

Konkretisht ata janë, inxhinieri i kompanisë, Enver Ademi, kontraktori që ka bërë fasadën, Altin Furtuna, menaxherja e marketit, Razie Sula, si dhe administratori i pallatit, Agron Carame u lanë në masë “detyrim paraqitje”.

Ata u arrestuan pas ngjarjes së rëndë, ku si pasojë e flakëve që fillimisht përfshinë fasadën e pallatit, u dogjën në brendësi rreth 70 apartamente.

Avokatët mbrojtës të të arrestuarve pretenduan se zjarri kishte nisur nga djegia e disa kartonëve nga pakujdesia e fëmijëve që ndodheshin pranë në ato momente.

Ndërsa mësohet se policia e referoi fillimisht dosjen me akuzën për veprën penale “shkelje e rregullave teknike të sigurimit në punë”, ndërsa prokuroria e rikualifikoi veprën penale në gjykatë si “zjarrvënie nga pakujdesia”, duke lehtësuar kushtet e personave të ndaluar.

Dje u bë me dije se fasada e pallatit dhe apartamentet e dëmtuara do të rindërtohen nga ndërtuesi Armand Lilo, ndërsa orenditë e shkrumbuara do të kompensohen nga ana e Bashkisë Tiranë.

Nga flakët që përfshinë pallatin ditën e martë, u  shkrumbuan 30 apartamente, kurse 11 persona u dërguan në spital me probleme në frymëmarrje dhe gjendje asfiksie.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë