Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Rama, i cili nisi sot vizitën e punës në Romë, Itali, u prit në ceremoni zyrtare nga kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni në Pallatin Chigi, me të cilën zhvilloi më pas një takim kokë më kokë, me fokus ecurinë e bashkëpunimit mes dy vendeve, thellimin e marrëdhënieve mes tyre, si dhe çështjet me interes të përbashkët rajonal dhe evropian.
Vizita e kryeministri Rama në Romë dhe Barcelonë zhvillohet në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare dhe forcimit të bashkëpunimit me partnerët evropianë.
Kreu i qeverisë shqiptare ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke u shprehur se asnjë qeveri italiane nuk ka bërë më shumë për Shqipërinë sesa ajo e Melonit në 35 vite.
Rama deklaron se afrimi i mëtejshëm i Tiranës dhe Romës ka të bëjë me projektet e përbashkëta strategjike të mëdha.
“Të gjitha qeveritë e Italisë në 35 vitet e fundit kanë qenë posaçërisht dashamirëse ndaj Shqipërisë, por asnjë qeveri italiane nuk ka vënë në lëvizje një program kaq të ngjeshur bashkëpunimi strategjik me Shqipërinë, sa qeveria e Giorgia Melonit. Afrimi i mëtejshëm me Italinë përmes projekteve të mëdha e konkrete sjell më shumë zhvillim e siguri për Shqipërinë”, shkruan Rama.
Zyra e kryeministrisë bën me dije se gjatë qëndrimit në Itali, Rama pas takimit me Giorgia Melonin, do të takohet më pas edhe me ministrin e Mbrojtjes, Guido Crosetto.
Ndërsa në vijim të vizitës, Rama do të marrë pjesë me ftesë të kryeministrit Pedro Sanchez, në punimet e mbledhjes së katërt të Samitit “Në Mbrojtje të Demokracisë”, që zhvillohet në Barcelonë, Spanjë.
Punimet e samitit do të përqendrohen në tema kyçe si “Institucionet dhe multilaterizmi” si edhe “Dezinformimi dhe teknologjia digjitale”, ku një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rregullimit të mjedisit dixhital për të luftuar dezinformimin, forcimit te institucioneve demokratike dhe multilateralizmit, si dhe luftës ndaj pabarazive si themel për një demokraci të fortë.
Në kuadër të Samitit, Kryeministri Rama do të zhvillojë edhe takime bilaterale me kryeministrin Sanchez, Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje