Nga Gazeta ‘Si’- Një përshkallëzim i mëtejshëm i luftës me Iranin mund ta shtyjë ekonominë botërore drejt recesionit, me inflacion në rritje dhe tronditje të forta në tregjet financiare, ka paralajmëruar Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Në një klimë gjithnjë e më të paqëndrueshme, FMN-ja tha se dëmet ekonomike nga konflikti në Lindjen e Mesme po shtohen gradualisht, teksa uli parashikimet për rritjen globale në vitin 2026, duke reflektuar ndikimin e deritanishëm të luftës.
Në përditësimin e saj gjashtëmujor, FMN vlerësoi se Mbretëria e Bashkuar do të pësojë uljen më të madhe të rritjes ekonomike dhe një nga normat më të larta të inflacionit në G7 këtë vit, edhe nëse goditja nga çmimet e larta të energjisë zbutet deri në mesin e vitit 2026.
Në skenarin më të rëndë, me një luftë të zgjatur dhe çmime të larta të energjisë për një periudhë të gjatë , FMN paralajmëroi se bota do të përballej me “një prag shumë të afërt recesioni global”, diçka që do të ndodhte vetëm për herë të pestë që nga viti 1980.
Çmimet e naftës u rikthyen mbi 100 dollarë për fuçi të hënën, mes luhatjeve të forta në tregje, pasi bisedimet SHBA-Iran përfunduan pa marrëveshje dhe SHBA nisi bllokadën e ngushticës së Hormuzit. Të martën, nafta Brent ra lehtë në 98.5 dollarë, mes shpresave për rifillim të bisedimeve për paqe.
Teksa ministrat e Financave dhe guvernatorët e bankave qendrore mblidhen në Uashington për takimet pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore, institucioni tha se lufta ka errësuar dukshëm perspektivën e ekonomisë globale.
FMN paralajmëroi se të gjitha vendet do të përballen me rritje më të ulët ekonomike dhe inflacion më të lartë, por goditjen më të fortë do ta ndiejnë vendet importuese të energjisë dhe ekonomitë në zhvillim.
Në SHBA, FMN uli parashikimin për rritjen ekonomike në vitin 2026 me 0.1 pikë përqindje, në 2.3%, duke reflektuar pasojat që konflikti po sjell edhe për familjet amerikane.
Goditjen më të fortë mes vendeve të G7-s FMN ia rezervoi Britanisë, duke ulur parashikimin e rritjes me 0.5 pikë përqindje, në vetëm 0.8%, ndërsa paralajmëroi se inflacioni mund të ngjitet pranë 4%.
Ndërkohë, kancelarja britanike Rachel Reeves pritet të kërkojë një përgjigje të koordinuar ndërkombëtare ndaj pasojave ekonomike të luftës, si dhe të shpallë masa të përkohshme mbështetëse për bizneset.
“Lufta në Iran nuk është lufta jonë, por do të ketë kosto për Britaninë. Nuk janë kosto që i dëshiroja, por janë kosto ndaj të cilave duhet të reagojmë”, tha Reeves.
Sipas FMN-së, edhe një konflikt afatshkurtër do të frenonte rritjen dhe do të ushqente inflacionin, ndërsa sa më gjatë të zgjasë lufta, aq më i madh bëhet rreziku për ekonominë botërore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje