Politike

Berisha: Rama ‘dy metra gënjeshtar’, po falimenton fermerët!

Nga Gazeta ‘Si’– Kreu i opozitës Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama se ai ka marrë vendim për falimentimin e fermerëve.

Teksa solli për analogji ekonomike masat e disa vendeve të BE-së, Berisha tha se qeveria jo vetëm nuk po ul çmimet e karburanteve, por sipas tij po pasurohet nëpërmjet tyre në mënyrë përrallore.

“Ai mori një vendim absolutisht me synim të falimentimit të fermerëve shqiptarë. Informoj qytetarët shqiptarë se Gjermania me një akt para disa ditësh vendosi të dyfishojë subvencionin e naftës për fermerët, por edhe të tjerat po kështu, edhe Suedia, uli TVSH e ushqimeve në 6% nga 15% që e kishte”, vijoi ai.

Sipas tij, Rama është “dy metra gënjeshtar”, pasi BE po subvencionon naftën dhe po ul çmimet, e kundërta e asaj që deklaroi kryeministri në takimet që mban me qytetarët në rrethe.

“Rama hoqi subvencionin për fermerët shqiptarë dhe shkoi me paturpësinë më të madhe, dy metra gënjeshtar, u deklaroi se Europa nuk e ka subvencionin. Gënjeu kur tha se nuk ka asnjë vend në BE apo Europë që nuk japin subvencion për naftën”, përfundoi ai.

Berisha iu bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në protestën e 17 prillit, për të cilën tha se do të jetë një revoltë e fuqishme.

“Nafta është gjaku i ekonomisë dhe është materia me ndikim më të fuqishëm jo vetëm në industri, jo vetëm në ata që kanë makina, por dhe të gjithë ata që ushqehen, të gjithë ata që blejnë në dyqane, të gjithë ata që ecin, që përdorin transportin, që lëvizin.

E gjithë Europa, e gjithë bota perëndimore, Australia, janë angazhuar në lehtësime të menjëhershme të barrës fiskale mbi naftën në një kohë kur Edi Rama po nxjerr fitime përrallore për shkak të rritjes së TVSH-së dhe nuk ul asgjë, derisa nafta thotë të kalojë 224 lekë për litër”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë