Politike

Berisha: Rama është armiku më i egër i kombit shqiptar! Avokat i turpshëm i Vuçiçit

Nga Gazeta ‘Si’– Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha sulmoi kryeministrin Edi Rama, duke e cilësuar si “avokatin më të egër” të kombit shqiptar.

Duke komentuar fjalën e Ramës në Samitin e Diasporës që po mbahet në Shqipëri, Berisha tha se sipas tij Rama është hajduti më i madh i të gjitha kohërave i fondeve dhe pasurive publike të këtij vendi.

Kryedemokrati përmendi disa raste ku sipas tij, Rama ka vepruar kundër interesave shqiptare, ndërsa shtoi se pas nisjes së luftës në Ukrainë, ai ka insistuar nëpër samite që Serbisë të mos i kërkohej që të vendoste sanksione ndaj Rusisë që nisi agresionin.

“Një ndër analistët më të shquar të Europës e ka quajtur Edi Ramën për shërbimet që i ka bërë Serbisë si kryeministrin më të mirë të këtij vendi pas Nikolla Pashiç. Aq e vërtetë është se, aq e vërtetë është se pas Enver Hoxhës, që deklaronte me krenari se Kosovën ja lamë serbëve, Edi Rama në këto vite pushteti, është tradhtari më i madh i Kosovës dhe kombit shqiptar.

Fill pas ardhjes së tij në pushtet, Edi Rama, si argati i Vuçiçit, u angazhua direkt në projektin e ndryshimit të kufijve dhe ndarjes së Kosovës. Pas dështimit të këtij projekti antishqiptar, ai bashkë me padronin e tij Vuçiç dhe veglën e tyre Zajev, themeluan në samitin e Novi Sadit, Minishengenin Ballkanik apo Ballkanin e Hapur. Në hartën zyrtare të kësaj aliance trilaterale Beograd-Tiranë-Shkup, Republika e Kosovës paraqitej e integruar tërësisht brenda hartës së Serbisë së Madhe. Kjo aleancë që de facto dhe de jure sanksiononte hegjemoninë politike dhe ekonomike të Serbisë në rajon, përfundoi në koshin e turpit të historisë pasi u hodh poshtë nga vendet e tjera të rajonit dhe Bashkimi Europian”, tha Berisha.

Sipas Berishës, Rama ka mbajtur qëndrime kritike ose të pakoordinuara ndaj qeverisë së Kosovës dhe ka ushtruar ndikim negativ në çështje të rëndësishme si procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës në Bashkimin Europian.

Ai gjithashtu e akuzoi për deklarata të lidhura me veriun e Kosovës, të cilat sipas tij krijojnë paqartësi mbi sovranitetin territorial të vendit.

Berisha e kritikoi gjithashtu reagimin e Ramës pas sulmit në Banjskë, duke e konsideruar atë të pamjaftueshëm në dënimin e përgjegjësive të Serbisë dhe në mbështetjen për institucionet e Kosovës.

“Edhe pas aktit terrorist në Banjskë, në vend që të dënonte me forcë falangat e Beogradit, Rama kërkoi menjëherë, brenda orës, konferencë ndërkombëtare për Kosovën, duke tentuar në këtë mënyrë të përfshinte Rusinë në tryezë në krah të Aleksandër Vuçiç dhe kundër interesave të shqiptarëve në Kosovë dhe rajon. Ai nuk gjeti një fjalë të vetme të ngushëllonte fjalët e dëshmorit të dheut që ra në Banjskë në mbrojtje të territorit të Kosovës”, tha Berisha.

Më tej ai shtoi se Rama mund të shpallet “Pashiç Emeritus” i Serbisë, pasi sipas liderit demokrat në politikat e tij ka tejkaluar edhe platformën e Vaso Çubrilloviçit për dëbimin e shqiptarëve nga Shqipëria.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë