Analize

Sulmi ndaj Papës- Trump po e vë Melonin në një pozitë të vështirë!

Nga Gazeta ‘Si’- Donald Trump e vuri sërish Giorgia Melonin në një pozitë të vështirë të hënën, por kësaj here ajo reagoi.

Kryeministrja italiane dhe aleatja afatgjatë e Trump-it bëri kritikat e saj të para të drejtpërdrejta ndaj Donald Trumpit që prej rizgjedhjes së tij në vitin 2024, në përpjekje për të mos humbur mbështetjen e bazës së saj tradicionale katolike.

Presidenti amerikan, gjatë fundjavës, sulmoi Papa Leonin XIV- i cili është shfaqur si një kritik i fortë moral i luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, duke e quajtur atë të pakuptimtë dhe duke bërë thirrje për paqe -duke nxjerrë hapur tensionet që prej muajsh zienin mes Shtëpisë së Bardhë dhe Papës.

“Mendoj se deklaratat e Presidentit Trump për Atin e Shenjtë janë të papranueshme,” tha Meloni në një deklaratë të hënën.

“Papa është kreu i Kishës Katolike dhe është krejt e drejtë që ai të bëjë thirrje për paqe dhe të dënojë çdo formë lufte.”

Shpërthimi i Trump-it ka vënë në presion politikanët e djathtë italianë që të mbrojnë Atin e Shenjtë, pasi elektorati i tyre luhatet mes konservatorizmit nacionalist dhe lidhjes së fortë me traditën katolike.

Zëvendëskryeministri italian dhe lideri i së djathtës ekstreme, Matteo Salvini- një mbështetës i hershëm i Trump-it -ishte veçanërisht i zëshëm të hënën, duke deklaruar se “nëse dikush po punon fort për paqen dhe zgjidhjen e konfliktit, ai është Papa Leoni.”

“Sulmimi i Papës, simbol i paqes dhe udhërrëfyes shpirtëror për miliarda katolikë, nuk duket një gjë as e dobishme dhe as inteligjente,” shtoi ai.

Fillimisht, Meloni ishte më e kujdesshme, e kapur mes besnikërisë ndaj Trump-it në skenën globale dhe respektit ndaj autoritetit moral të Papës, ndërsa mendon për zgjedhjet e vitit 2027.

Por presioni publik dhe kritikat e opozitës e detyruan të mbante qëndrim.

Presidenti i Five Star Movement, Giuseppe Conte, i dënoi sulmet e Trump-it dhe ironizoi Melonin që, sipas tij, po shmangte një pozicion të qartë.

Ndërsa Carlo Calenda, kreu i partisë centriste opozitare Azione, e quajti “të turpshme” vonesën e Melonit për të mbrojtur Papën.

Sipas tij, kjo tregoi dobësi politike dhe varësi ndaj Trump-it, pa i sjellë ndonjë përfitim Italisë.

Trump ka qenë prej më shumë se një dekade një figurë dominuese në formësimin e tonit dhe drejtimit të së djathtës globale.

Por që prej luftës me Iranin, ndikimi i tij po shihet gjithnjë e më shumë si barrë politike.

Aleatët e Melonit pranojnë se marrëdhënia me Trump-in dhe lufta me Iranin ndikuan ndjeshëm në humbjen e referendumit të saj për reformat kushtetuese muajin e kaluar, ndërsa edhe Viktor Orbán pësoi humbje të thellë në Hungari, pavarësisht mbështetjes nga administrata Trump.

Javën e kaluar, në një fjalim në parlament, Meloni tentoi të distancohej nga Trump-i, duke përmendur rastet kur, sipas saj, kishte pasur mosmarrëveshje me të- nga Groenlanda te tarifat dhe Irani.

Megjithatë, në praktikë, ajo shpesh është rreshtuar me nismat diplomatike të Trump-it dhe madje e ka mbështetur për Çmimin Nobel për Paqe.

Sipas analistit Leo Goretti, kostoja politike për Melonin mund të jetë e vështirë të frenohet.

“Italia po ndjen tashmë pasojat ekonomike të politikave të Trump-it, dhe sulmi ndaj Papës- një simbol i kulturës dhe identitetit italian, i paprekshëm për shumicën e italianëve- vetëm sa do ta shtojë vëmendjen ndaj afërsisë së saj me Uashingtonin,” tha ai.

Ky është një moment shumë i vështirë për qeverinë italiane, dhe Meloni mund ta ketë kuptuar me vonesë se kësaj here duhej të vendoste një vijë të kuqe./ Politico


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë