Politike

Sazani, Rama: Projekti ka ndryshuar, do të ketë shumë pak ndërtime

Nga Gazeta Si- Nga takimi me operatorët turistik në Vlorë, kryeministri Edi Rama tha se “nuk e kemi shitur dhe nuk e shesim ishullin e Sazanit”. Kreu i qeverisë tha se projekti ka ndryshuar, ku do të ketë më pak ndërtime dhe s’do jetë resort i mbyllur.

“Sazani është i Shqipërisë dhe do të mbetet i Shqipërisë. Ne akoma dhe sot nuk i kemi mbyllur negociatat për Sazanin. Shqipëria do të jetë pjesë e kompanisë që do të investojë dhe administrojë ishullin”, tha Rama, duke shtuar se në këtë pikë shqiptarët janë të përfaqësuar nga shteti.

“Nuk bëhet fjalë për të mbyllur ishullin. S’do jetë resort i mbyllur, s’do bëhet rezervat i privilegjuar. Projekti i Sazanit ka ndryshuar në proces. Do të ketë shumë pak ndërtime dhe do të ketë një profil kulturor, artistik të rëndësishëm. Do të jetë një nga projektet më të bukura të zhvilluara në Mesdhe”, tha Rama.

Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner, këshilltar jozyrtar i presidentit, kanë siguruar një marrëveshje për ta kthyer Sazanin, një nga ishujt e fundit të pabanuar në Mesdhe, në një resort turistik luksoz.

Projekti i zhvillimit të ishullit të Sazanit, është cilësuar si një investim madhor që ngre shqetësime serioze për rrezikun e degradimit mjedisor dhe dëmtimin e faunës në zonë.

Pas miratimit të projektit në Sazan, qeveria shqiptare ka krijuar kompaninë që do të jetë ortake me Jared Kushner, si përfaqësuese e shtetit shqiptar.

Korporata e Investimeve Shqiptare ka regjistruar në QKB, kompaninë shtetërore Albanian State Develompent & Real Estate me një kapital 50 mln lekë.

“Objekti i kësaj shoqërie do të jetë pjesëmarrja si përfaqësues i shtetit, në partneritete apo investime strategjike si dhe në çdo rast të përcaktuar me vendim të organeve të shoqërisë, lidhur me projektin e investimit “Resorti Turistik- Ishulli i Sazanit” apo çdo projekt tjetër të autorizuar nga Korporata e Investimeve” thuhet në dokumentin e QKB-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë