Gazeta Si – Dy prej të akuzuarve si pjesë e dosjes së laboratorit të kokainës në Frakull të Fierit, kanë pranuar të bashkëpunojnë me drejtësinë.
Sipas burimeve paraprake, pas arrestimeve në vitin 2022, SPAK ka arritur të sigurojë dy të penduar, të cilët kanë vendosur të flasin dhe të tregojnë emra personash të tjerë të përfshirë në këtë rrjet kriminal, për të cilët tashmë po vijojnë hetimet.
Njëri prej të penduarve është shtetas i huaj, ndërsa tjetri shqiptar. Dëshmitë e tyre pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të strukturës së grupit dhe rolit të secilit prej anëtarëve.
Numri i të identifikuara nga SPAK lidhur me hetimin e trafikimit ndërkombëtarë të kokainës ka shkuar në 15.
Hetimi i nisur në vitin 2022, u finalizua me kapjen e një sasie prej 485.5 kilogramë kokainë, e importuar nga Kolumbia dhe e fshehur në një ngarkesë me “pleh organik artificial”, që u sekuestrua në Frakull të Madhe, Fier.
Klevent Gjolena, Aldi Zonja dhe Musa Gjikola janë arrestuar, ndërsa Kevin (Arjan Margjoni) dhe Durim Keçi janë shpallur në kërkim.
Në 30 dhjetor 2024, Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lë lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, që dënoi me 90 vite burg grupin prej 10 personash të akuzuar për sasinë prej 485 kg kokainë në Frakull të Fierit.
Për vendimet e dhëna, është aplikuar për të gjithë të pandehurit ulja në masën e 1/3 së dënimit, për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Si personi kryesor në këtë aktivitet u dënua me vendim të formës së prerë, Nikolin Gjolena, me 11 vite e 4 muaj heqje lirie.
Si bashkëpunëtorë të tij të drejtpërdrejtë, Apeli, ashtu si Shkalla e Parë, dënoi me të njëjtën masë edhe Denilson Çervanakun e Klajdi Kodrën.
Me dhjetë vite burg u dënua Viktor Çervanaku dhe me masa nga 2 deri në 8 vite heqje lirie u dënuan si pjesë e grupit kriminal edhe 6 të tjerë.
Në operacionin që u realizua nga SPAK në bashkëpunim me DEA-n amerikane dhe policinë malazeze, u sekuestruan në shtëpinë e ish-kryetarit të komunës së Farkullit, Viktor Çervanaku, 400 kilogramë pleh kimik, i ardhur nga Mali i zi në Shqipëri, që rezultoi i përzier me kokainë.
Porositësi e tërhoqi drogën nga Porti i Tivarit në Malin e Zi, por ngarkesa ishte mbajtur nën vëzhgim, për të zbuluar edhe destinacionin final të saj.
Sipas prokurorisë, të pandehurit, në bashkëpunim me njëri tjetrin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë planifikuar, organizuar dhe importuar nga Kolumbia për në Shqipëri ngarkesën e drogës.
Kokaina ishte fshehur mes “plehut organik” artificial, e ngarkuar në një kontenier, që është transportuar nga Kolumbia me destinacion final Shqipërinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje