Politike

Rama: Po rishikojmë pensionet për të (vetë)punësuarit

Nga Gazeta ‘SI’- Në kuadër të bashkëbisedimeve për turin “Punët e Shqipërisë”, kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të premte, më 10 prill, një takim me pensionistë të njësisë nr. 2 në kryeqytet.

“Ju jeni të parët, të tjerët vijnë mbrapa.”, me këto fjalë iu drejtua Rama pensionistëve.

Kryeministri u shpreh se do rishikohet skema për pensionistët e vetëpunësuar dhe të atyre që vazhdojnë të punojnë.

“Më në fund ashtu sikur e kishim dëshiruar, për t’ia dalë erdhi momenti kur ekonomia na e krijoi këtë mundësi. Duke filluar nga janari i këtij viti ju merrni pensione më të larta. Çdo janar pensioni rritet. Janarin e ardhshëm rritja do jetë dyfishi. Për të arritur tek ajo shumë e cila na jep mundësinë për të arritur objektivat që kemi vendosur për ju. Ne ndërkohë kemi diskutuar për të tjera ndryshime në skemën e pensioneve. Duke filluar të krijojmë edhe një hapësirë tjetër për ata që duan të kursejnë më shumë për një pension më të lartë në të ardhmen. Do rishikojmë skemën e pensionistëve të vetëpunësuar dhe të atyre që vazhdojnë të punojnë. Ne ndërkohë kemi diskutuar edhe mbështetjen për invalidët. Thelbi i të gjitha këtyre është ndryshimi i ekonomisë që na i jep këto mundësi. Lajmi i mirë sot është që kemi kaluar në një tjetër nivel, qoftë në aspektin e prodhimit të përgjithshëm”, tha Rama.

Mes të tjerash, kryeministri njoftoi se po përgatitet një paketë e re ndihme për familjet në nevojë, duke llogaritur shpenzimet në bazë të shportës. “Lekët që marrin nga taksat e shqiptarëve, në mënyrë që të shkojnë për nevojat e tyre dhe asnjë lekë të mos përfundojë në pijetore!”, deklaroi Rama në këtë takim.

Kryeministri u shpreh gjithashtu se po planifikohet një program i ri i strehimit në tërësi. Sipas tij, 94% e pronave në Shqipëri janë private.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë