Rend dhe Ligj

Nga dënim përjetë në 35 vite burg për vrasësin e policit, Lamallari kundër Gjykatës së Apelit: Vendim i rrezikshëm!

Gazeta Si – Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka kritikuar vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila zbuti dënimin për Azgan Mërnicën, autori i vrasjes në maj 2024 në Fier, të policit Novruz Cenalia.

Më herët, Gjykata e Fierit e kishte dënuar Mërnicën me burgim të përjetshëm, por një ditë më parë Gjykata e Apelit e zbriti dënimin me 35 vite burg.

Lamallari, e ka cilësuar këtë vendim si një akt me pasoja të rrezikshme, që cenon jo vetëm emrin dhe sakrificat e punonjësve të policisë, por kërcënon rendin ligjor dhe vetë shtetin.

“Vendimi për zbutjen e dënimit ndaj autorit të vrasjes së një punonjësi të Policisë së Shtetit është thellësisht shqetësues. Edhe pse nuk jemi njohur ende me arsyetimin e plotë, vrasja e efektivit të ‘Shqiponjave’ Novruz Cenalia ishte një sulm i hapur ndaj vetë shtetit dhe rendit ligjor, – shkruan Lamallari në një potim në rrjetet sociale. – Një akt i tillë nuk lëndon vetëm familjen e të ndjerit dhe dekurajon kolegët në uniformë, por rrezikon të japë një mesazh të gabuar për këdo që guxon t’i kundërvihet ligjit dhe shtetit të së drejtës. Respektojmë pavarësinë e gjyqësorit, por presim që drejtësia të jetë e fortë dhe në lartësinë e përgjegjësisë që ka ndaj qytetarëve dhe ndaj atyre që mbrojnë rendin çdo ditë. #LavdiDëshmorëvetëPolicisë”.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 maj 2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz të Bashkisë Fier. Sipas dosjes hetimore, gjithçka nisi si një konflikt banal.

Azgan Mërnica po drejtonte automjetin e tij me shpejtësi të lartë në një kthesë të rrezikshme, kur u ndalua nga efektivi, i cili i tërhoqi vëmendjen për mënyrën e rrezikshme të drejtimit të mjetit.

Sipas prokurorisë, pas një debati të ashpër verbal, Mërnica ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar për vdekje Cenalian, i cili ndodhej në detyrë.

Pas ngjarjes, i akuzuari u kap nga forcat e rendit i fshehur në pyll pas një operacioni 48 orësh dhe negociatash me familjarët e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë