Politike

Berisha: Porti i Durrësit, projekt i madh korruptiv

Nga Gazeta ‘Si’– Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë se projekti për Portin e Durrësit përbën aferën më të madhe korruptive që ka sot Europa.

Në një takim me përfaqësues dhe ekspertë në Durrës, Berisha u shpreh se vlera e portit arrin deri në 4 miliardë euro, teksa theksoi rëndësinë strategjike që ka pasur ndër vite për ekonominë dhe lidhjen e Shqipërisë me Perëndimin.

“Kjo aferë shkon të paktën, të marrë së bashku përvetësimin e pasurisë publike, nga të gjitha pasuritë publike që kanë shqiptarët sot, numri një është porti i Durrësit. Pas portit vjen kaskada. Porti me trojet dhe të gjitha është pasuria publike më e madhe e cila shkon në 3.8- 4 miliardë euro. Edhe kaskada ka vlerën e vet, por porti e ka më të madhe. Është një investim mijëravjeçar, por që ka shërbyer si kryeurë e lidhjes së shqiptarëve me Perëndimin dhe ka qenë në pozicionin e tij jashtëzakonisht strategjik dhe një faktor shumë i rëndësishëm në çmimet, në transportin e leverdishëm, etj, etj”, u shpreh Berisha.

Ai deklaroi se në vitin 2013 ishte parashikuar ndërtimi i një marine turistike në një zonë të përcaktuar. Berisha ngriti gjithashtu akuza për mënyrën se si është menaxhuar porti i peshkimit. Sipas tij, portin e peshkimit e kanë marrë nën zotërim dy trafikantë.

“Historia e këtij korrupsioni të përmasave të pakufishme është e tillë. Durrësi në vitin 2013, duhet ta dini ju të gjithë, kishte zonën e përcaktuar për marinën e vet. Durrësi donte një port marine, nuk diskutohet. Qytetit i mungonte porti i peshkimit, i mungonte një port marinë. Porti i peshkimit u ndërtua me paratë e Bankës Botërore, por pavarësisht se u ndërtua, atë e morën dy trafikantë të damkosur ndërkombëtare, një Naim Bej dhe ky Gjergji Luca. Këta e morën atë se donin detyrimisht të kishin eksesin e tyre në profesionin që ushtronin. Por marina ishte e përcaktuar me projekt, me tender, me të gjitha midis Currilave dhe hotel Vollgës.”

Sipas Berishës, Rama e refuzoi projektin e shkëlqyer të marinës për Durrësin sepse kërkoi ryshfet 10 milionë euro.

“Ishte bërë projekti, ishte bërë tenderi, ishte shpallur fituesi dhe do fillonte puna dhe Durrësi do bëhej me portin e marinës që i takonte, që i mungonte.

Cila është historia? Historia është kjo, është e regjistruar biseda e Edi Ramës me Ylli Ndroqin, në të cilën Edi Rama i thotë Ylli Ndroqit, i thuaj atij arabit tënd që pa 10 milionë euro nuk fillon punën.

Ylli Ndroqi i thotë, unë për 10 milionë nuk i them dot. Kjo është e vërteta. Kjo është në dosje. Këto i ka denoncuar Ylli Ndroqi.

Dhe ky refuzim rrëzoi projektin e shkëlqyer të portit të marinës për Durrësin, sepse Edi Rama donte së paku ryshfet 10 milionë”, tha ai.

Sipas tij, zëvendësimi i Portit të Durrësit me një port 4 herë më të vogël është akt antikombëtar nga Edi Rama.

“Port tjetër mund të ndërtohet sepse nevojat rriten, etj me radhë, por zëvendësimi i Portit të Durrësit me një port në Porto Romano 4 herë më të vogël në sipërfaqe dhe kapacitete sa Porti i Durrësit, 8 herë më të vogël se Porti i Selanikut, 44 herë më të vogël se Pireu, ky është një akt absolutisht fund e krye antikombëtar, në një kohë kur fizibiliteti nga Adriatiku drejt Europës qendrore është më i përshtatshmi”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë