Dosje

Xhaxhallarët e Stenaldos, morën hakun e babait të tij: E vrau pas shpine, si frikacak

Gazeta Si – Pas më shumë se çerekshekulli në arrati, dy vëllezërit Artur dhe Arben Mëhilli (60 dhe 54 vjeç), u arrestuan në Itali, të dënuar për vrasjen me armë zjarri për gjakmarrje të personit që kishte vrarë vëllanë e tyre, Sokol Mëhilli, i cili është babai i ish-konkurrentit të “Big Brother VIP”, Stenaldo.

Gjatë një rrëfimi në “Big Brother”, Stenaldo Mëhilli tha se i ati, Sokoli është vrarë në një mënyrë të poshtër, pasi sipas tij i dha një përqafim autorit para se të qëllohej për vdekje.

Mes emocioneve të shumta, Stenaldo ka deklaruar se trimat vriten gjithmonë nga frikacakët.

“Kam lindur në një qytet ku nuk kam jetuar kurrë, hiq muajin e parë të jetës time, derisa im at në qershor të po atij viti ndërroi jetë. I vrarë në një mënyrë të poshtër, në atë vit të poshtër për të gjithë shqiptarët që na ka bërë të humbasim më shumë se çdo herë në historinë tonë të brishtë. U vra nga dikush pasi atij i dha një përqafim dhe i ktheu kurrizin për të vazhduar rrugën e tij. Dhe kjo është arsyeja pse unë gjithmonë kam thënë që në këtë botë të gjithë trimat vriten nga frikacakët”, u shpreh i riu.

Po ashtu ish-konkurrenti i “BBVIP” ka theksuar se momenti që ka marrë vesh të vërtetën ka qenë dramatik për të.

“Kur njeriu rritet me një humbje të tillë nuk ka me asnjë moment dramatik në jetën e tij, nuk ka një moment kur ti e mëson, ti thjesht e di që ndryshe nga fëmijët e tjerë babai yt nuk është aty. Ajo që dikush mund ta quajë dramë, humbjen e shikimit, është prapë një përjetim, që i bie për pjesë mamasë dhe familjes nga të dyja anët, si nga ana e nënës ashtu dhe e babait, Sokolit, sepse shikimi më humbi relativisht shumë shpejt. Familja e kuptoi këtë kur unë isha 6 muajsh”, deklaroi Stenaldo.

Dy vëllezërit, Artur dhe Arben Mëhilli u arrestuan një ditë më parë, pasi Gjykata e Lushnjës i ka dënuar në mungesë me 32 vite burg në total, për vrasjen e Rezar Metajt në Lushnjë në vitin 1999, duke u hakmarrë për vrasjen e familjarit të tyre.

Me identitete të rreme, me emrat e ndërruar në Artur Davidhi dhe Arben Gjermeni, vëllezërit nga Lushnja nisën jetën në shtetin fqinj, duke siguruar edhe leje qëndrimi.

Në mungesë të shenjave të gishtërinjve në Shqipëri, një nga format kryesore shkencore të identifikimit, Agjentët e Interpolit në Tiranë, arritën të gjejnë fotografi të vjetra të dy vëllezërve Mëhilli.

Për të faktuar se të kërkuarit e drejtësisë ishin dyshja që jetonte me letra në Itali, përdorën teknologjinë moderne, “Facial Recognition” dhe nga krahasimi i tipareve të cilat mbeten të ngjashme, mes fotove të vjetra të Artur dhe Arben Mëhilli dhe fotografive që Italia dërgoi të shqiptarëve me identitetet e tjera, u arrit në përfundimin se ata janë dy personat e shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Pas arrestimit të tyre, autoritetet shqiptare dhe italiane po bashkëpunojnë për të finalizuar procedurat e ekstradimit në Shqipëri të dy vëllezërve Mëhilli për të vuajtur dënimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë