Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka vijuar turin “Punët e Shqipërisë” në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme vendore, duke ndalur këtë herë në Durrës.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë theksoi rëndësinë historike të momentit që po kalon vendi, duke e cilësuar integrimin në Bashkimi Europian si një mundësi të rrallë që nuk duhet humbur.
Ai u shpreh se Shqipëria ndodhet për herë të parë në një pozicion të favorshëm ndërkombëtar dhe bëri thirrje për një mbështetje më të fortë politike, me qëllim realizimin e objektivit strategjik të anëtarësimit në BE.
I pyetur nga qytetarët, kryeministri u përgjigj edhe për ndikimin që kanë tensionet në Lindjen e Mesme në vendin tonë.
Sipas kreut të qeverisë, Shqipëria përfiton pozitivisht, pasi konsiderohet si një vend i sigurt nga turistët për pushime. Megjithatë sipas tij vazhdon të mbetet shqetësuese rritja e çmimeve.
“Për fat të keq, unë mendoj që kjo do të përkthehet në shumë njerëz që do të kthehen këtu. Këtu ka sherr, po luftë jo. Unë nuk mendoj se ka ndikim negativ, ajo që është frika më e madhe janë çmimet, ju e patë si kërceu nafta kur nisi lufta.
Ajo që unë mendoj, Durrësi ka më shumë nevojë është që të ketë sa më shumë investime. Ajo që ne kemi menduar është një program për parkime nëntokësore, por edhe mbitokësore. Sigurisht që do të ketë edhe shumë projekte të tjera. Janë dy projekte të mëdha në Durrës, që shpresojmë se do i konkretizojmë së shpejti. Synojmë që të sjellim turistë që të shpenzojnë shumë dhe që lënë shumë lekë këtu. Për këtë na duhen struktura që t’i sjellim.”
Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS, të mbajtur në Durrës, Rama u ndal edhe tek problemi i shumë qytetarëve, vështirësia për të pasur një banesë. Rama tha se shuma që do të mblidhet nga taksa 3% për lejet e ndërtimit, do të përdoret si garanci bankare, në mënyrë të tillë që shteti t’u vijë në ndihmë qytetarëve, apo çifteve të reja për të pasur një banesë.
“Strehimi është një nga pikat më delikate të të gjithë këtij zhvillimi, se si do u jepet më shumë akses njerëzve që punojnë, por nuk janë shumë të pasur në strehim. Nuk kemi vetëm fazën e problemit të strehimit social, por kemi hyrë në fazën për strehimin e përballueshëm.
Kemi vendosur dhe jemi i vetmi vend që e kemi vendosur, 3% taksë për lejet e ndërtimit, edhe Bashkia e Durrësit ka mundësinë që të ketë një fond për strehimin. Do krijojmë fondin e përgjithshëm dhe janë disa formula që do të lehtësojmë marrjen e një shtëpie, që janë në punë dhe që kanë disa parametra, por që prapë nuk e marrin do shtëpinë, prandaj shteti do të krijojë një garanci bankare.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje