Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me përfaqësues të biznesit ndërtues, ku e vlerësoi këtë aktivitetin si tepër të rëndësishëm për transformimin ekonomik dhe urban të vendit.
Kreu i qeverisë, duke pranuar problematikat theksoi se është e papranueshme kriminalizimi i këtij sektori.
“As nuk e vë në diskutim që edhe në sektorin e ndërtimit, përfshirë edhe vende që na bëjnë leksione ne, ka probleme dhe problemet këtu në Shqipëri janë më të mprehta në disa raste se ç’janë në vende të tjera. Jo çdo gjë në sektorin e ndërtimit është e pastër, qartë si drita e diellit dhe e çmuar si djersa e dhjetëra mijëra njerëzve që i japin jetë këtij sektori. Por që këtë sukses, këtë transformim që sektori i ndërtimit e bën të dukshëm menjëherë sa dikush vjen në Shqipëri, ta fusim në kornizën e krimit, është diçka e neveritshme dhe e papranueshme. Ka shumë arsye pse Shqipëria mund të bëjë ndërtime të tilla, është e pamundur për disa që ta pranojnë suksesin e Shqipërisë po punë e madhe. Por ama është e pamundur për ne që të pranojmë se shumica ndërtuese e atyre që investojnë në ndërtim të futen në thesin e blatës për disa që mund të jenë patjetër ashtu siç thuhet”, tha Rama.
Mes të tjerash, gjatë fjalës së tij duke folur për një projekt të ri në kryeqytet, Rama tha se: “Bashkia e Tiranës përfiton 14 milionë euro taksë vetëm nga ky projekt. 14 milionë euro janë një shumë e konsiderueshme, ndërkohë që nga ky projekt kur të bëhet realitet, komuniteti do të fitojë çerdhen, kopshtin, ndërkohë që Bashkia e Tiranës mund të fitojë edhe një shkollë.”
Sepse siç sqaroi kryeministri, investitori mund të ndërtojë dhe shkollën në momentin që t’i jepet trualli për të ndërtuar.
Rama shtoi se nuk mund të thuhet se po rritet korrupsioni, kur paguan plot 14 milionë euro taksa. Sepse në korrupsion paguhet më pak taksë. “Nuk shkojnë të dyja bashkë”, theksoi kreu i qeverisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje