Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës se negociatat me Bashkimin Europian janë bllokuar për shkak se PS nuk pranoi t’i heqë imunitetin Belinda Ballukut.
Në aktivitetin për prezantimin e vendeve të lira të punës në sektorin publik, Rama deklaroi se negociatat nuk janë ‘një shëtitje në lëndinë’, por janë një proces testimi dhe provimi i vazhdueshëm.
“Pala tjetër është stërvitur me dekada për t’ia nxirë jetën vendeve që janë ulur në atë tryezë për t’u bërë anëtarë të BE, për t’ia nxirë jetën në kuptimin e plotë të fjalës, duke kërkuar llogari në detaje në çdo sektor. Dhe kur ajo palë shpreh ato vlerësime atëherë vërtet në kemi arsye të jemi shumë të inkurajuar dhe besimplotë se kemi mundësi të ndërtojmë një Shqipëri me administratë të standardeve europiane.
Flitet lart e poshtë se negociatat janë bllokuar, kjo është e pavërtetë. Negociatat nuk janë një shëtitje në lëndinë, por janë një proces testimi dhe provimi i vazhdueshëm. Ky provim është një provim kyç, por nuk ka zero motiv për të folur për bllokim për pengim. Jemi sipas axhendës së përcaktuar. Prilli është muaj i diskutimeve intensive”, deklaroi Rama.
Sipas tij procesi i negociatave po ecën me sukses dhe me një shpejtësi unike dhe shtoi se kjo është falë punës së administratës.
Ai pranoi se në fillim kishte patur frikë për perceptimin që administrata shqiptare do krijonte në Bruksel, por sipas tij është suprizuar nga prezantimi dinjitoz.
“E kam shprehur shumë herë, dakord do arrijmë t’i hapim negociatat por pastaj si do ia bëjmë?! Do e kemi të vështirë dhe o zot na ruaj se çfarë perceptimi do japim tek ata në Bruksel për administratën që kemi dhe ka ndodhur për suprizën e shumëkujt, edhe timen, krejt e kundërta. Qindra punonjës e kanë përfaqësuar shtetin shqiptar me shumë dinjitet dhe kanë fituar besimin e palës tjetër’, tha Rama.
Ai shtoi se nga ana tjetër, edhe ekonomia po rritet në mënyrë të qëndrueshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje