Gazeta Si – Në një takim nga njësia 12 në Tiranë, kryeministri Rama tha se refuzon të pranojë si narrativë akuzat për korrupsion.
Duke u ndalur te rritja e ekonomisë, ai tha se nëse kjo gjë do të ndodhte, atëherë nuk do të kishte rritje të ekonomisë në vend.
“Unë e di që sado të rritet ekonomia nuk është asnjëherë mjaft dhe njerëzit synojnë për më shumë. Nuk mund të çohet një njeri dhe të thotë me plot gojën: ‘Është rritur korrupsioni’. Kjo është një gënjeshtër shumë e madhe, sepse po të ishte rritur korrupsioni nuk do të rritej ekonomia, pensionet, numri i përfituesve nga garat publike etj. Unë e refuzoj me neveri këtë narrativë që nuk dinë të thonë gjë tjetër veç: ‘Vjedhje, vjedhje, vjedhje! Korrupsion, korrupsion, korrupsion!’. Por po të ishin të vërteta këto, nuk do të ndodhnin ndryshimet që ne kemi bërë”, tha Rama.
Rama theksoi se ecuria e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian në vitin 2027 po vijon, por nënvizoi se sikur një nga shtete të thotë jo, atëherë anëtarësimi nuk ndodh.
‘’Mbyllja e negociatave me BE është mbyllja e hesapeve me katin e parë. Në katin e parë është Brukseli dhe nënpunësit e Brukselit që merren me reformat, ndjekin masat sesi ka ecur puna apo a janë bërë detyrat dhe pastaj në katin e dytë janë vendet anëtare. Janë 27 vende që ulen për të marrë vendime dhe mjafton një vend të thotë, nuk duam dhe vendimi nuk merret. Ajo që është ndryshe sot, është se të gjitha vendet në katin e dytë thonë se Shqipërinë duam ta marrim në BE. Prandaj kemi hapur kapitujt e negociatave për një muaj”,- tha Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se ato çfarë kanë qarkulluar për bllokim negociatash nuk janë të vërteta. Përkundrazi, sipas tij BE na do brenda unionit.
“Kemi bërë shumë për të ardhur këtu, por nuk mjafton, ne mund ta kishim bërë të gjithën dhe nuk mjafton sepse vendi i vogël, populli i vogël nuk mjafton të bëjë më të mirën e vet, por duhet edhe që të tjerët ta shohin me sy të mirë dhe janë bashkuar yjet e fatit dhe BE do që të na marrë brenda vetes. Dhe kjo është e jashtëzakonshme. Ky moment është konkret. Ne do bëjmë atë që kemi në dorë, do bëjmë të pamundurën që dera e hapur të mbyllet vetëm pasi të kemi hyrë ne brenda”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje