Nga Gazeta Si- Pedagogët e Universitetit të Arteve kanë bojkotuar leksionet ditën e sotme në shenjë proteste pasi prej dy vitesh u është bllokuar procesi i marrjes së titujve akademikë.
Sipas tyre, prej kohësh ka shkelje të vazhdueshme dhe mosrespektim të vendimeve institucionale brenda universitetit.
Pedagogët thonë se drejtuesit e universitetit nuk po zbatojnë vendimet e komisioneve të promovimit dhe të Senatit Akademik, duke bllokuar proceset e avancimit të stafit me tituj të rinj akademikë.
“Jemi përballë një situate të papranueshme, ku vendimet zyrtare nuk zbatohen dhe të drejtat tona si pedagogë shkelen në mënyrë të vazhdueshme. Kjo është arsyeja pse jemi detyruar të ndërmarrim këtë hap ekstrem,” thanë pedagogët ndërsa njoftuan se do të bojkotojnë mësimin.
Ardian Isufi, pedagog arti thotë për Gazetasi.al se sot ishte hapi i parë që kanë ndërmarrë.
“Sot bëmë bojkot dhe jemi në pritje të vendimit që do të merret. Në bazë të vendimit do të shohim nëse vazhdojmë me bojkot”, thotë Isufi.
Në 2021, Universiteti i Arteve fitoi një status të veçantë si institucion i arsimit të lartë me profil artistik, me vendim të Këshillit të Ministrave. Më pas, në 2024, Senati Akademik i Universitetit të Arteve miratoi vendimet për promovimin akademik të stafit.
Shumë pedagogë kanë mbetur nën emrin asistentë lektorë ndërkohë që në vendimin e qeverisë përcaktohet që ekspozitat, koncertet, operat dhe projektet skenike vlerësohen si ekuivalente me artikuj shkencorë dhe në këtë mënyrë pedagogët mund të merrnin tituj akademikë.
Por, sipas tyre, këto vendime nuk janë zbatuar as në aspektin financiar, as në atë administrativ.
Josif Gjipali, tenor, pedagog në Universitetin e Arteve ka thënë më herët se “Moszbatimi i vendimeve të një organi kolegjial si senati akademik, krijon një precedent për funksionim e brendshëm të universitetit, duke vënë në pikëpyetje sigurinë juridike të akteve akademike”.
“Nëse ne nuk marrim këto tituj, universitetit i vihet çelësi dhe nuk ekziston më”, thotë Gjipali.
Duke folur në emër të pedagogëve të Arteve, tenori Josif Gjipali gjithashtu akuzoi institucionin që ka ndërmarrë hapa për të detyruar pedagogët të ndjekin doktoraturën, me kosto financiare dhe programe që nuk përputhen me profilin e tyre artistik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje