Politike

PD: Krimi i infiltruar në polici! Lamallari: Policia, jo pjesë e narrativave politike

Nga Gazeta ‘Si’- Deputeti demokrat Klevis Balliu në interpelancë me ministrin e Brendshëm Besfort Lamallari tha se inkriminimi i krimit në radhët e uniformave blu nuk është akuzë politike, duke shtuar se kjo cenon sigurinë kombëtare.

Balliu solli rastin e Oltion Bistrit apo Henrigert Mitri, ish-efektivë të përfshirë në trafik droge, apo të agjentit të AMP-së që ishte në makinë me Gilmando Danin në momentin e atentatit mafioz në Rinas. Balliu tha se inkriminimi i policisë së shtetit është sipas tij politikë e kësaj qeverie.

“Inkriminimi i policisë nuk është akuzë politike, por një fakt i njohur jo vetëm nga opinioni publik shqiptar por edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Këtu nuk cenohet vetëm një institucion, por siguria e çdo qytetari dhe siguria kombëtare. Raporti i Zgjerimit i Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2025 thekson se: ‘Pavarësisht përpjekjeve të ndërmarra, Policia e Shtetit vazhdon të jetë thellësisht e ekspozuar ndaj korrupsionit. Procesi i vlerësimit kalimtar dhe periodik të punonjësve të policisë (vetingu policor), si dhe procesi i verifikimit të integritetit kanë vijuar, por ndikimi i tyre mbetet i kufizuar.

Gjithashtu janë bërë më të dukshme rastet e intimidimit dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, përfshirë raste ku janë përfshirë edhe zyrtarë të lartë shtetërorë apo punonjës policie, veçanërisht ndaj gazetarëve investigativë dhe grave gazetare.

E pamundur të bëhet atentat në aeroport, ku mbrohet nga siguria më e madhe e vendit, policia, ushtria, çdo herë ke siguri vetëm ditën e atentatit jo. Inkriminimi i policisë së shtetit është politikë e kësaj qeverie dhe garancia e kësaj qeverie me krimin për të vazhduar para bizneset e tyre. Është kjo qeveri që sot nuk i jep dot siguri jete asnjë qytetari shqiptar”, tha Balliu.

Akuzat u hodhën poshtë nga ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, i cili tha se Policia e Shtetit nuk ka pse të bëhet pjesë e narrativave politike dhe e baltës.

Ministri nënvizoi se ka ende shumë punë për të bërë dhe se progresi kundër krimit e korrupsionit ka qenë i qëndrueshëm. Lamallari tha se kemi një ulje të vrasjeve me 50%.

“Policia e Shtetit është organizatë me burra gra, djem e vajza, që përballen me punë të vështirë, në front me krimin dhe paligjshmërinë. Duhet të jemi të kujdesshëm kur përdorim politikën e baltës ndaj një organizate të shtetit shqiptar. Nuk do të thotë që probleme s’ka, ka, ka raste të shkeljeve, ka individë që kanë shkelur uniforma e policisë, por dallimi mes një shteti të dobët dhe të fortë qëndron këtu, ai fsheh ai problemet dhe a i adreson me masa konkrete. Do bëj një citim të kujdesshëm të raporteve ndërkombëtare.

Një e dhënë interesante vjen nga siguria publike, kemi 50% ulje të vrasjeve, krim tejet shqetësues. Lidhur me bashkësinë ndërkombëtar, Shqipëria është vlerësuar pozitivisht nga raportet ndërkombëtare, por dua të theksoj faktin se kemi 38% skuadra më shumë të hetimeve të përbashkëta dhe këto janë bërë të mundura fale operacione me EUROPOL.

Policia e Shtetit s’ka pse të bëhet pjesë e narrativave politike, ka detyrim ligjor t’i shërbej vendit dhe qytetarëve e pandikuar nga akuzat dhe balta që përfshin këdo, të madh e të vogël, e pamë ditën e djeshme me zgjedhjen e drejtorit të ri të policisë së shtetit”, tha Lamallari.

Në përgjigje, Balliu tha se Policia e Shtetit dekonspiron operacionet dhe ka 270 masa arresti të paaekzekutuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë