Politike

Rama hedh poshtë aludimet për ngadalësim drejt BE-së: Fati po i buzëqesh shqiptarëve

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama tha se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian do të sjellë ndryshime thelbësore për të rinjtë, veçanërisht në fushën e arsimit dhe punësimit.

Gjatë një bashkëbisedimi me studentë, ai theksoi se aktualisht ata paguajnë më shumë se bashkëmoshatarët e tyre në vendet e BE-së, ndërsa me integrimin, shqiptarët do të trajtohen si vendas në çdo universitet dhe qytet europian.

“Ju paguani më shumë se sa studentët e BE. Me hyrjen në BE kjo ndryshon tërësisht, ju jeni vendas në Lisbonë, Varshavë dhe në cilindo universitet dhe qytet të Europës.

Mund të kërkoni punë në çdo qytet të Europës, si vendas. Duke e marrë shumë ngushtë, kjo është një përpjekje që ka shumë kuptim dhe ka një impakt të drejtpërdrejtë për secilin ju. Pjesa tjetër ka të bëjë se sa shumë gjëra vijnë këtu për universitetin, laboratorët dhe për ju, duke qenë vendas jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të BE-së. Nuk bëhet fjalë vetëm për një kapërcim të statusit të vendit, por bëhet fjalë për një ndryshim thelbësor të raportit të popullit dhe të vendit shqiptar me popullin dhe vendet e tjera“, tha kryeministri.

Rama nënvizoi se kjo do t’u japë mundësi të kërkojnë punë dhe të ndërtojnë jetën në të gjithë kontinentin, duke e cilësuar këtë proces si një hap me ndikim të drejtpërdrejtë për çdo qytetar.

Kryeministri shtoi gjithashtu se integrimi nuk është vetëm çështje statusi për vendin, por një transformim i thellë i marrëdhënieve të Shqipërisë me Europën, në një moment që, sipas tij, përfaqëson një mundësi historike të paprecedentë për të ardhmen e shqiptarëve.

“Kurrë asnjëherë më parë Shqipëria nuk e ka pasur buzëqeshjen e fatit siç e ka sot. Asnjëherë Shqipërisë nuk i ka buzëqeshur fati në sensin e të ardhmes së mundshme të njerëzve për të qenë të lirë dhe të barabartë, duke pasur jo vetëm një vend, por një kontinent të tërë si vendas. Në këtë rast kjo nuk është rruga drejt parajsës, askush nuk e pretendon këtë, por është rruga drejt realitetit, ku shqiptarët do të jenë më të sigurt dhe më të mbrojtur nga rrethanat e historisë.

Po na buzëqesh fati sepse janë bashkuar të gjitha yjet dhe janë vënë rresht në këtë ëndërr shekullore të shqiptarëve, që kanë parë gjithnjë nga Perëndimi. Kemi bërë një punë të madhe për të ndryshuar pozicionin e Shqipërisë që deri dje ishte e përbuzur”, shtoi kreu i qeverisë.

A është ngadalësuar procesi i integrimit në BE? Rama: Jemi refuzuar 3 herë…

Edi Rama u shpreh se Shqipëria aktualisht nuk po përballet me ngadalësim në procesin e integrimit drejt Bashkimit Europian.

Ai theksoi se perceptimet për një “ngadalësim” shpesh krijohen nga pasqyrat mediatike, të cilat sipas tij, nuk i verifikojnë gjithmonë informacionet dhe shpesh garojnë për vëmendjen e publikut.

Rama nënvizoi se Shqipëria ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj dhe se refuzimet e mëparshme nga BE-ja nuk lidhen me performancën e vendit, por me qëndrime politike të vendeve anëtare.

Kryeministri gjithashtu vuri theksin mbi rëndësinë e këtij momenti historik, duke e cilësuar si një mundësi që shqiptarët duhet ta shfrytëzojnë për të avancuar procesin e integrimit.

“Unë besoj që prokuroja e ka krijuar këtë idenë ngadalësimit nga pasqyrat mediatike, të cilat për fat të keq, përgjithësisht janë shumë të dyshimta për ato që thonë, shkruajnë dhe flasin. Sepse është bërë kaq e shpejtë bota dhe kaq ritmike koha e informacionit, edhe është bërë kaq frenetike dëshira për të marrë vëmendje saqë nuk ka as kohë dhe as interes për t’i verifikuar gjërat që shkruhen dhe thuhen. Por, vetëm hidhe vetëm për të marrë vëmendje, sepse edhe pasqyrat janë në garë më njëra-tjetër. Këto janë gjëra që paralizojnë shumë cilësinë e informacionit.

Ne jemi në një moment, ku për herë të parë në histori fati po i buzëqesh shqiptarëve dhe Shqipërisë. Aktualisht nuk jemi në kushtet që ka ngadalësim. Ne jemi propozuar për të hapur negociatat dhe tre herë jemi refuzuar. Na ka propozuar komisioni sepse ne kemi bërë të gjitha detyruar. Pse jemi refuzuar? Sepse një vend anëtar nuk na ndodhte. Nuk kishte asgjë me Shqipërinë, por kishte një problem të krijuar me shqiptarët…politikë. E vetmja gjë që kërkojnë forcat politike, kërkojnë një armik, sepse armiku motivon votuesit.

Në shumë vende të Europës armiku u kthye në emigrant. Shumica e vendeve ishin ën rregull, por del një vend. Në këtë sens procesi ngadalësohet. Që procesi të ngadalësohet ka dy gjëra: vendi që do të shkojë atje bën gabime, vetëvendoset në një pozicion të pafavorshëm, ose politika e një vendi apo të një vendi tjetër ngre rezerva. Në këtë kohë ne nuk jemi në këto kushte, por pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është se sa kohë kemi. Nuk i bie çdo brezi që të bëjë histori.

Është një moment  për ne tani që të bëjmë histori duke hyrë në Bashkimin Europian. Është hapur një derë dhe ajo derë mund të mbyllet, e rëndësishme është që të mos bëhemi ne sebepi. Për këtë arsye ne duhet të bëjmë maksimumin për këto vite që kemi përpara ku dera është qartësisht e hapur”, tha kryeministri Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë