Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në mbledhjen e Grupit Parlamentar kritikoi ashpër rritjen e çmimeve në vend, sidomos të naftës.
Këtë fenomen Berisha e lidh me taksat e larta dhe oligopolet që, sipas tij, përfitojnë nga sistemi i korruptuar.
“Në mënyrë të përsëritur, ne kemi denoncuar taksat katastrofike mbi litrin e naftës. Më të lartat, mund të jenë më të lartat në botë, në Europë po, kur një litër në SHBA shitet me 1 dollarë, kurse këtu taksa është 1.1 dollarë, kjo tejkalon çdo lloj logjike ekonomike dhe pa diskutim është një bazë për çmimin në këtë shkallë. Dhe ne, kudo që do të gjejmë abuzim me taksat, le që ne e kemi modelin taksë e ulët 10 përqind, por ne do studiojmë kudo që janë, veçse detyrimi ynë është të identifikojmë institucionet e korruptuara, të cilat i kanë futur në xhep oligopolet.
Se ka një ligj për mbrojtjen e konsumatorit, se ka një zinxhir institucionesh për mbrojtjen e konsumatorit, se që të gjithë si të droguar, nuk pyesin njëherë për konsumatorin”, tha Berisha.
Berisha theksoi se taksa mbi litrin e naftës është ndër më të lartat në Europë dhe sipas tij tejkalon çdo logjikë ekonomike, duke ndikuar drejtpërdrejt në çmimin e produkteve bazë.
Kreu i PD paralajmëroi një “luftë frontale” nga ana e PD për mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe konsumatorëve, duke u fokusuar jo vetëm tek nafta, por edhe tek produktet si sheqeri, orizi dhe mishi, që sipas tij janë nën kontrollin e oligopoleve.
“Pse rriten çmimet në Shqipëri si në asnjë vend tjetër? Pse Shqipëria, me fuqinë blerëse më të ulët në rajon, ka çmime mesatare më të larta se BE?
Është në detyrimin madhor të PD të ndërmarrë një luftë frontale në mbrojtjen më të vendosur të interesave të qytetarëve. Çfarë ndodh me ligjet ekzistuese? Janë ligje shumë të mira. Në qoftë se zbatohen, nuk mundet që çmimet të shkojnë lart e më lart. Të shkojnë më lart se vendet me fuqi blerëse 5 herë më të madhe se ne. Ndaj dhe aktualisht problem madhor është nafta, se është i mprehtë, por duhet të jemi të vërtetë, po kaq problem është kafshata. Sheqeri, orizi, mishi, të gjitha këto janë oligopole.
Dhe mund të ketë edhe të tjera, një seri të tjerash. Edhe njëherë, nuk janë fenomen vetëm shqiptar, jo. Por për të mbrojtur konsumatorët, çdo shtet ka ligje dhe institucione, të cilat bizneseve u garantojnë veprimtari normale, u garantojnë fitimin, por nga ana tjetër mbrojnë konsumatorin”, shtoi kreu i PD.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje