Nga Gazeta ‘Si’- Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale nga Partia Demokratike, Luçiano Boçi, ka paraqitur vizionin e opozitës për këtë reformë gjatë një takimi të hapur me qytetarët.
Në fjalën e tij, Boçi theksoi se Partia Demokratike ka objektiva të qarta për reformën territoriale, duke nisur nga ndalimi i shpopullimit dhe rritja e funksionalitetit të njësive vendore, deri te forcimi i decentralizimit dhe autonomisë së pushtetit vendor.
Ai tha se PD ka propozuar si zgjidhje rritjen e numrit të bashkive, edhe nëse do pranohej ulja e numrit të qarqeve deri në 8 nga 12 që janë, por theksoi se është e nevojshme të mbulohet territori me institucione shtetërore për t’i shërbyer qytetarëve, pra një hartë të plotë institucionale dhe territoriale.
“Kur flasim për këtë reformë, pavarësisht teorive absurde të mazhorancës, të gjithë e pranojnë se këtu na ka sjellë dështimi real i pushtetit lokal. Nuk jemi këtu për të arritur qëllime të padeklaruara më parë. PS po përdor të njëjtat teza si në 2015, jo integrimi, gjeografia dhe të tjera. Qëllimi i saj është rikontrolli sa më absolut i votës. E vërtetë është që popullsia lëviz, por zgjidhja nuk është zhvendosja apo heqja e institucioneve nga zonat dhe mosprezencës së shtetit atje. Problemet vijnë nga mungesa e investimit, financimeve”, tha deputeti demokrat mes të tjerash.
Boçi nënvizoi më tej se Shqipëria sipas tij është larg standardeve europiane duke boshatisur vendin nga institucionet që prej nismave të mazhorancës në vitin 2015, që i quajti të dështuara, duke sjellë edhe si rezultat shpopullimin.
“BE kërkon administratë profesionale dhe transparencë. Moraliteti i gjithë kësaj i ngjason fabulës së inxhinierit, që pasi ka shembur shtëpinë e vetë, vjen me 4 projekte të reja. Ne duhet të korrigjojmë politizimin ekstrem dhe autoritetet lokale, pas problematikave me reformën e vitit 2015 dhe keqqeverisjen. Ajo u bë me qëllim që të decentralizonte pushtetin lokal, por nuk solli asgjë, por qëllimi i vërtetë ishte kthimi i tyre në magazinë votash. Kemi më pak decentralizim, më shumë abuzim e korrupsion, shpopullim të zonave rurale, mungesa e shërbimeve shëndetësore dhe arsimore. Të tjerat mund të quhen reforma si kjo e sotmja. Ka një zgjidhje të vetme, hartë e re territoriale me më shumë bashki, që rrit cilësinë por nuk konsideron rritjen e numrit të votave”, shpjegoi ligjvënësi opozitar.
Bashkëkryetari i territoriales tha se qëllimi i PD është sa më shumë bashki, kurse mazhoranca kërkon më pak bashki dhe kontroll votash nëpërmjet pabarazisë.
“Këtu nuk është synimi që PD kërkon më shumë bashki dhe PS më pak, por cilësia e pushtetit lokal dhe pavarësia, pa centralizim, sepse e kundërta do prodhonte të njëjtat probleme, më pak shërbime e më shumë pabarazi.
Qëllimi i PS është centralizimi dhe mungesa e pavarësisë së pushtetit vendor. PD i ka të qarta qëllimet dhe objektivat e saj të arritshme, të propozuara nga ekspertët tanë, për rritjen e numrit të bashkive me qëllim që të jenë pranë njerëzve dhe aty ku mundojnë. Rritja e cilësisë së shërbimit, standardet europiane, decentralizimi, integrimi në BE, këto janë qëllimet tona.
Jemi për krijimin e më pak qarqeve, por ama me mbulimin e territorit me sa më shumë bashki dhe praninë e tyre te qytetarët për ofrimin e shërbimeve”, u shpreh Boçi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje