Nga Gazeta ‘Si’- Emërimi i Skënder Hitës si drejtuesi i ri i Policisë së Shtetit ka nxitur debate në seancën e Kuvendit. Partia Demokratike përmes deputetit Klevis Balliu hodhi akuza se emri i Hitës u zgjodh nga ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku.
“Zar i radhës i Ballukut. Që tre ditë më parë e dinim që Skënder Hita do emërohej, sot vetëm u zyrtarizua krimi i radhës. Në dosjen e Ballukut thuhet se ka pasur kërcënime me jetë ndaj dëshmitarëve nga eksponentë të krimit. Në dosjen e kësaj zonje, që sot emëron drejtorin e policisë, merr në dorë të gjithë Ministrinë e Brendshme. Se siç ka thënë Rama, ministrat e brendshëm do merren me adresat”, tha Klevis Balliu.
Përgjigjen e mori nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari i cili opozitës i kujtoi se Hita është një oficer karriere dhe emërimi i tij është bërë në bazë të meritës. Ministri theksoi se i gjithë procesi për përzgjedhjen e drejtorit të ri të Policisë së Shtetit u monitorua nga partnerët ndërkombëtarë.
“Sot u emërua Skënder Hita dhe në ditën e parë, opozita nisi baltën ndaj tij. Ata harrojnë se Hita nuk i shërben as mazhorancës dhe as opozitës, por shtetit shqiptar. Hita është një person me integritet dhe ka spikatur roli dhe kontributi që ka dhënë në Polici. Opozita ka mision vetëm të hedhë baltë dhe të bëjë dhunën si instrument politik. Këto akuza i bëjnë dëm Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, pasi jemi në fazë kritike për integrimin. Që kur Balliu u thirr bukurosh, vazhdon të përdorë një retorikë bajate. Turpi qoftë me ju, që hidhni poshtë edhe flamurin kombëtar në protestat me molotovë”, tha Lamallari.
Ndërsa, e menjëhershme ka qenë përgjigja nga Balliu. Ai i foli po ashtu ashpër, duke i thënë Lamallarit se nuk di nga lidhet gomari e se vepron në jetën e tij vetëm me urdhra.
“Unë e dija para tre ditësh se kush zgjidhet drejtor Policie. Ti mban një karrige se nuk di nga lidhet gomari ti. Xhelal Mziu u godit me shkop gome në mes të rrugës. Ti nuk flet dot, sepse ti vepron me butona”, u shpreh Balliu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje