Nga Gazeta ‘Si’- Partia Socialiste dhe ajo Demokrate kanë dalë me një projektligj të përbashkët sa i përket financimit të partive politike, në kuadër të Reformës Zgjedhore.
Dokumenti detyron që kontributet mbi 50 mijë lekë të kryhen vetëm përmes bankës, ndërsa vendos një tavan prej 200 mijë lekësh në vit për dhurimet nga qytetarët.
“Partia politike lejohet të marrë dhurata nga: Shtetasi shqiptar në vlerë jo më shumë se 200 000 lekë për një vit kalendarik. Personi fizik të regjistruar sipas legjislacionit tatimor jo më shumë se 500 000 lekë për një vit kalendarik; personi juridik në vlerë jo më shumë se 1 000 000 lekë për një vit kalendarik”, thuhet në draft.
Po ashtu, partitë duhet të raportojnë çdo vit financat në KQZ, ndërsa shkeljet, përfshirë fshehjen e burimeve të financimit, dënohen me gjoba deri në 5 milionë lekë dhe pezullim të financimit publik.
Partitë nuk mund të marrin ndihma financiare apo materiale nga institucione dhe individë të huaj, kompani të huaja, donatorë anonimë, apo subjekte që operojnë në fusha si lojërat e fatit, kazinotë dhe kriptomonedhat.
“Refuzimi për të bërë transparent burimet e financimit të partisë politike apo për të lejuar ushtrimin e kontrollit nga ana e ekspertit kontabël të licencuar ose të KQZ, dënohet nga 2 000 000 deri në 5 000 000 lekë, dhe mund të vendoset edhe pezullimi deri në 5 vjet të financimit publik për partinë politike”, thuhet në draft.
Në draft vihet në dukje se fondet jopublike të përfituara nga partia politike, kur identiteti i dhuruesit nuk njihet apo nuk është i përcaktuar qartë, kalojnë për llogari të KQZ-së.
Nëse një parti politike nuk dorëzon për dy vite me radhë raportin vjetor, përjashtohet nga e drejta për të garuar në zgjedhje.
“Pavarësisht ndërshkimit me gjobë që vendoset, partia politike që nuk dorëzon për dy vite radhazi Raportin Vjetor të Financimit, sipas mënyrës dhe afatit të përcaktuar në këtë ligj, përjashtohet nga e drejta për të marrë pjesë në zgjedhjet më të afërta dhe zgjedhjet në vijim”, vijon drafti.
Sa i takon fondit publik për financimin e partive, shpërndarja do të bëhet: 70% sipas numrit të deputetëve, 20% ndahet në mënyrë të barabartë mes partive parlamentare dhe atyre me mbi 10 mijë vota dhe
10% sipas përqindjes së votave mbi 1% në nivel kombëtar”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje