Politike

‘Integrimi siguron luftën anti-korrupsion’, Rama: Siguria ushqimore, sfida e sfidave

Nga Gazeta ‘Si’- Ndërsa bëri një panoramë të negociatave me BE-në, kryeministri Edi Rama tha se ky proces ka një vlerë që shkon përtej miratimit të reformave në Bruksel.

Sipas Ramës, integrimi në BE ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve institucionale dhe fuqizimin e funksionimit të shtetit ligjor në të gjitha nivelet.

Ai nënvizoi se ky proces po kontribuon në konsolidimin e institucioneve të drejtësisë, të cilat, sipas tij, kanë hyrë në një fazë të re, duke gëzuar një nivel pavarësie të paprecedentë.

“Shpesh herë tendenca është që të shikohet anëtarësimi i BE në mënyrë të sipërfaqshme dhe të mos kuptohet që ky proces është historik  sepse transformon shtetin shqiptar dhe i jep institucioneve në kapacitet dhe fuqi për të vepruar.

Rritja e kapaciteteve institucionale sjell edhe forcim të rendit ligjor në të gjithë kapacitetet, jo thjesht në aspektin e ushtrimit e pushtetit të pavarur gjyqësor, por ushtrimin e pushtetit të çdo institucioni në funksion të ligjit.

Ky proces siguron luftën kundër korrupsionit jo thjesht si një luftë që zhvillohet në frontin midis institucioneve të drejtësisë dhe korrupsionit, por si një luftë që zhvillohet edhe në frontin e modernizimit të transformimit institucional dhe të realizimit të një kapaciteti të të gjithë shtetit për ta parandaluar korrupsionin. Për të parandaluar veprimtari që realizohen në hapësira gri, ose në mungesë të kanaleve të sigurta institucionale që garantojnë shërbime dhe ndërveprime të shpejta dhe cilësore”, tha Rama.

Ai tha se institucionet e drejtësisë me fitimin e pavarësisë duhet të rrisin standardet dhe profesionalizmin. Rama tha se ka ende shumë punë për t’u bërë në fushën e Prokurimit Publik, kontrollin financiar dhe sigurinë ushqimore, të cilën e konsideroi si ‘sfidën e sfidave’.

“Dy gjëra më bien në sy në prezantimin që u bë: e para është domosdoshmëria për të kaluar nga një progres i kufizuar në raport me standardet e BE në një progres të mirë tek prokurimi publik, ku kemi bërë një progres të madh në raport me vetveten dhe rajonin, por nuk jemi ende në kornizën e progresit të mirë dhe plotësimin e këtij aspekti si pjesë e kushteve.

Këtu e sjell në vëmendje se është shumë e rëndësishme që puna e nisur për modernizimin e prokurimit publik me AI duhet të vazhdojë intensivisht dhe të kurorëzohet për të na bërë një vend shembull. Viti 2017 duhet të na gjejë me këtë objektiv të realizuar. Tjetra është kontrolli financiar, ku edhe progresi është i kufizuar, ndërkohë që reforma për kontrollin financiar është e domosdoshme dhe kemi nisur paraprakisht. Duke e mbyllur me sfidën e sfidave, që është siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit”, tha Rama.

Ai tha se reforma e inspektimit duhet të vazhdojë dhe është kyç drejtimi politik i saj nga të gjitha ministritë.

“Ka filluar me AKU-në, po shtrihet në inspektoriatet e tjera për të garantuar burime njerëzore cilësore”, tha Rama.

Ndërkohë kryenegociatorja Majlinda Dhuka nënvizoi se vendi ka marrë vlerësim pozitiv nga Komisioni Europian dhe shtoi se deri në vitin 2026 synohet të mbyllen 12 nga 16 kapituj, ndërsa grupkapitujt e tjerë do të përgatiten gradualisht.

Siç bëri me dije ajo, janë hapur negociatat për 33 kapituj dhe 3 kritere.

Ajo theksoi se procesi i integrimit nuk është përballur me pengesa reale, por lidhet kryesisht me fazat kohore të hapjes dhe përparimit të kapitujve të negociatave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë