Politike

Rama kusht kryebashkiakëve: 10 kontrata për Paketën e Maleve ose nuk rikandidoni më!

Nga Gazeta ‘SI’-  Pas përfundimit të mbledhjes së socialistëve, Kryeministri, Edi Rama, ishte në Asamblenë e Partisë Socialiste në njësinë nr. 2, Tiranë.

Gjatë fjalës së tij Rama u ndal edhe tek Paketa e Maleve, ku u vendos ultimatum kryebashkiakëve se nëse duan që të rikandidojnë duhet të sjellin në tryezë minimalisht 10 kontrata të firmosura për Paketën e Maleve.

Në të kundërt sipas tij, nuk mund të rikandidojnë edhe “sikur të kenë bërë mrekullira”.

“Kemi shumë aplikime dhe kemi vendosur një normë, një objektiv që të gjitha ata kryetarë bashkish që duan të rikandidojnë, nuk mund të rikandidojnë edhe sikur të kenë bërë mrekullira, nuk mund të rikandidojnë nëse nuk kanë vënë me firmë 10 kontrata minimumi për Paketën e Maleve. Në momentin që hapet kjo rrugë të tjerët vijnë më lehtë. Ju keni dëgjuar që kjo paketa e maleve është bërë për oligarkët, por këtu në Shqipëri nuk ka oligarkë.

Kjo fjalë është shpikur  nga ata që u ka ngelur në grykë fjala kulakë. Paketa e Maleve është krejt e kundërta, lidhet drejtpërdrejt me njerëzit që kanë një pronë të trashëguar dhe nuk e zhvillojnë dot sepse nuk kanë titullin e pronësisë. Ky person përfiton një procedurë shumë të shpejte dhe më pas financim”, u shpreh kryeminsitri.

Kreu i qeverisë diskutoi dhe problematikën e çmimit të naftës. Me ngritjen e Bordit të Transparencës, Rama shtoi se çmimi i hidrokarburëve do të diktohet përmes saj, për të shmangur abuzimet nga tregtuesit.

“Shteti duke u futur, e para të garantojë rezervat, për çdo rast se bota është shumë e madhe dhe gjithmonë e më shpesh po drejtohet në gabimin e gabuar, të ndikojë në çmimin e naftës duke e sjellë atë në parametra të arsyeshëm, sepse shpesh herë nuk është në parametra të arsyeshëm“, tha ai.

Kryeministri u shpreh se në tregun e naftës do të ketë risi, lidhur me kapacitetet e reja teknologjike. Këtu përmendi dhe markimin e naftës, në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara, gjë që nuk do lejojë shmangien e detyrimeve.

“Po ashtu ne po përgatitemi jo vetëm që të futemi në atë treg me një komponent shtetëror, por edhe që të fusim në tregun e naftës disa risi që kanë të bëjnë me kapacitetet e reja teknologjike. Qoftë në markimin e naftës, e cila edhe pak del produkti i parë i kompanisë produkte që kemi krijuar së bashku me partnerët tanë nga Emiratet e Bashkuara për të markuar naftën duke e bërë të pamundur shmangien nga detyrimet fiskale si rezultat i pikërisht markuesit të ri, sepse markuesi i vjetër që gjetëm nga ai koncesioni famkeq paraardhës ishte një bojë që lehtësisht mund të manipulohej. Nga ana tjetër duke garantuar ndjekjen e të gjithë naftës tranzit e cila është një nga burimet e kontrabandës”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë