Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla në një konferencë për shtyp foli mbi nismën për hartimin e një ligji të posaçëm për referendumet në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij, Balla tha se Kushtetuta e Shqipërisë e përcakton qartë mënyrën e zhvillimit të referendumeve, por aktualisht mungon një ligj i dedikuar që të rregullojë në detaje këtë proces.
Ai bëri të ditur se drafti për këtë ligj do të kalojë përmes një procesi të gjerë konsultimi, para se të depozitohet në Kuvend. Sipas Ballës, grupi parlamentar i PS do të organizojë tryeza konsultative me juristë, profesorë, studentë dhe përfaqëues të shoqërisë civile.
Në deklaratën e tij, Balla iu referua edhe qëndrimit të kryeministrit Edi Rama i cili ka theksuar më herët se mungesa e një ligji për referendumet është e pajustifikuar.
Balla tha se dy janë kategoritë e referendumeve:
I përgjithshëm, për shfuqizim ligji apo ratifikimin e një ligji të veçantë
I pushtetit vendor: formë që u jep mundësi zgjedhësve të regjistuar në bashki, apo në nivel qarku, të bëjnë një referendum për një çështje të qeverisjes vendore
Kur ka vlerë referendumi?
“Projekti parashikon shumicë të ndryshme për vlefshmërinë e një referendumi. Dispozitat kushtetuese që i nënshtrohen referendumit, miratohen kur më shumë se gjysma e të gjithë zgjedhësve të regjistruar kanë votuar pro tyre.
Referendumi për shfuqizimin e një ligji është i vlefshëm nëse në të marrin pjesë të paktën 40% e zgjedhësve të regjistruar. Ne kemi parë në disa vende që për nga rëndësia e çështjes që shtrohet, si rasti i Italisë, kishim të bënim me ndryshime të një natyre kushtetuese dhe ishte e domosdoshme pjesëmarrja mbi 50%.
Në rastin tonë, kur bëhet fjalë për çështje të kësaj natyre, edhe nëse kalohet me 2/3 e anëtarëve në Kuvend, do të duhet të plotësohet kuorumin minimal, 50% + 1 e zgjedhësve.
Rezultati është i vlefshëm kur vota përbën të paktën 30% të numrit total të zgjedhësve të regjistruar për çështje të natyrës së veçantë dhe të paktën që në favor të çështjes të jenë shprehur 25% e numrit total. Kërkon një lloj legjitimeti demokratik”, argumentoi Balla.
Sipas tij, për të shkurtuar kostot referendumi mund të mbahet edhe në një kohë me zgjedhjet, qoftë ato politike apo vendore. Por Balla theksoi se kjo do të diskutohet, pasi ka dy qëndrime.
“Ligji nuk i ndalon forcat politike të angazhohen pro ose kundër. Zhvillimi i fushatave kërkon kohë për secilën nga palët e përfshira. Për të shkurtuar kostot, mund të bëhet që ditën që mbahen zgjedhjet, të mbahet edhe një referendum, kushtetuta nuk e ndalon”, u shpreh Balla.
Balla shtoi se është e rëndësishme që shqyrtimi i procesit nga Gjykata Kushtetuese të mos kërkojë më shumë se 3 muaj kohë.
“Të kihet parasysh që e gjithë kjo mos të marrë më shumë se 3 muaj, të jetë diçka e rregulluar në draftin që do t’jua shpërndajmë, por sot nuk do ta depozitojmë në Kuvend pa bërë disa konsulta”, tha ai duke theksuar se ky është një draft paraprak.
Lidhur me qasjen e mazhorancës ndaj opozitës për ligjin e referendumeve, Balla tha se opozita “është e mirëpritur të kontribuojë, por s’mund të marrë peng jetën parlamentare të vendit.”
“PS ka pikë së pari një kontratë me qytetarët. Një ligj për referendumet është një mangësi e madhe në një të drejtë që duhet të ketë populli për t’u pyetur sa herë që merren vendime të rëndësishme në emër të tij”, tha Balla.
Ai ritheksoi mesazhin që opozita të distancohet nga dhuna dhe tha se janë të gatshëm t’i presin për konsultime, pavarësisht bindjes se opozita nuk do të reagojë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje