Nga Gazeta ‘Si’– Marshimi i Partisë Demokratike, i cili u shoqërua me flakadanë dhe fishekzjarre drejt disa institucioneve zgjati rreth dy orë.
Edhe pse nisi si një marshim paqësor, hedhja e fishekzjarreve solli vazhdimisht edhe kundërpërgjigjen e policisë me gazlotsjellës dhe ujë, në përpjekje për të shpërndarë turmat.

Protestuesit u nisën drejt bllokut të ministrive në sheshin “Skëndërbej”, ku për herë të parë, pas shkarkimit të Belinda Ballukut, u hodhën molotovë edhe në drejtim të Ministrisë së Infrastrukturës, institucion i cili deri më tani nuk ishte sulmuar asnjëherë nga protestuesit e Berishës.
Protestuesit tentuan të sulmojnë edhe selinë e Partisë Socialiste, por një kordon i policisë nuk i lejoi që molotovët të depërtonin drejt godinës. Bombat molotov ranë edhe përballë Bankës së Shqipërisë me një prej protestuesve që sulmoi një makinë të policisë.

Nga aty, protestuesit marshuan mes për mes ish-Bllokut, por nuk u ndalën në Vilën 31, e cila në protestën e kaluar ishte objekt i sulmeve me molotov.
Përleshja u zhvendos pranë AKSHI-t, por edhe këtu kordoni i policisë nuk i lejoi protestuesit që të hidhnin molotovët drejt institucionit dhe përfunduan vetëm në rrethimin e ambasadës italiane.
Në një moment tensioni mes turmës së protestuesve dhe policisë afër AKSHI-t, u raportua se Berisha pësoi lëndime në sy, për shkak të hedhjes së gazit dhe ujit.
Për disa momente Berisha nuk është ndjerë mirë por pastaj rinisi marshimin.


As tentativa për të rrethuar Kuvendin nuk u lejua nga Policia, e cila kishte ngritur kordon pranë xhamisë të Namazgjasë dhe nuk i lejoi të depërtojnë. Kjo irritoi deputetët demokratë dhe protestuesit të cilët nisën përplasjen e ashpër dhe hodhën molotovë në drejtim të efektivëve.



Sipas të dhënave zyrtare, në Spitalin e Traumës janë paraqitur 6 efektivë të Policisë së Shtetit me lëndime, të cilët po marrin trajtim mjekësor.
Ndërkohë, 23 persona janë shoqëruar nga policia, pas protestës.
Në protestën e Partisë Demokratike u vu re se flamujt e SHBA-së ishin zëvendësuar me ato të BE-së dhe Gjermanisë.




Një simbolikë kjo që po përdoret nga demokratët pas akuzave ndaj PS-së se ka bllokuar integrimin me vendimin për të mos ia dorëzuar Belinda Ballukun, SPAK-ut.
Ndërkohë, ende nuk ka një afat se kur 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian do të shprehen për Raportin e Komisionit Europian mbi ecurinë e Shqipërisë në procesin e bisedimeve për anëtarësim.
Simbolika e flamurit gjerman në protestë lidhet edhe me lajmet që kanë qarkulluar se Gjermania është në krye të vendeve që ka ngritur pikëpyetje për miratimin e raportit.
Për ruajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë protestës, Policia kishte angazhuar 1500 efektivë policie.
Protesta u zhvillua në një ditë feste për komunitetin bektashi, atë të Sulltan Norvuzit. Megjithatë, simbolika e zgjedhur nga demokratët, ishte ajo e 22 marsit të vitit 1992 që shënon fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e para pluraliste pas rënies së komunizmit në Shqipëri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje