Politike

Zgjedhjet e reja vendore, Rama u kujton socialistëve ‘kushtet’

Nga Gazeta ‘Si’– Kryeministri Edi Rama e bëri të qartë se çfarë i pret socialistët në zgjedhjet e ardhshme vendore.

Nuk ka harruar kushtin e vënë më herët për ata që duan të rikandidojnë për të marrë karrigen e kryebashkiakut.

“Këto zgjedhje, edhe pa pjesëmarrjen e disasporës, janë momenti për t’i kthyer diasporës vëmendjen që meriton, me fakte! Jo me takime, jo me festa, që janë të mira, por me fakte!

Janë dy elemente, Paketa e Maleve dhe linjat e kredisë së Bankës së Shqipërisë së bashku me burime të tjera financimi për të ndërtuar ndërmarrje të përbashkëta bujqësore mes bashkive dhe komuniteteve, grupeve të interesit në fshat.

Nuk do të ketë asnjë kandidat që do të marrë miratimin për të rikandiduar, pa 10 kontrata të firmosura në kuadrin e Paketës së Maleve dhe pa 3 ndërmarrje të përbashkëta të miratuara”, deklaroi ai.

Rama njoftoi edhe një tjetër program që do të lançohet shumë shpejt: “Dyfisho ndërmarrjen tënde”

Ai bëri me dije se sipërmarrjet e vogla dhe të mesme do të financohen nga shteti për të dyfishuar biznesin e tyre.

“Një nismë e re ‘dyfisho ndërmarrjen tënde’, për t’i dhënë shqiptarëve që kanë ngritur ndërmarrje në territor dhe që tani janë gati të shkojnë më tutje por u mungonë instrumenti financiar, mundësinë që t’i financojnë këto ndërmarrje, t’i rrisin këto ndërmarrje. Do mbështet nga ky instrument dhe do ta kenë qeverinë tonë mbrapa dhe kjo është një tjetër rrugë për t’iu kthyer shqiptarëve në diasporë, atë vëmendje që kanë nevojë.

Je shqiptar që jeton jashtë dhe ke në fshat një tokë, eja dhe mos dëgjo pallavrat e tenxhereve që thonë se paketa e maleve është bërë për t’i dhënë tokat oligarkëve, në Shqipëri. Nuk jap asnjë mbështetje për investitorë që vijnë nga jashtë territorit ku janë pronar me ligj ose zakon të tjerët. Është për ata të tjerët që nuk u kanë titujt e pronësisë se nuk e kanë pranuar 7501”, tha Rama.

Numri një i kabinetit qeveritar rrëzoi “mitin” se pjesëmarrja e shqiptarëve në zgjedhje është e ulët. Sipas tij, shifra e atyre që shkojnë në qendrat e votimit janë deri në 85%.

Rama gjithashtu vuri theksin edhe te numri i lartë i grave në ‘gjirin’ e Partisë Socialiste.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë