Politike

Berisha: Kërkojmë nivelimin e taksave të karburanteve me Maqedoninë dhe Kosovën

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka propozuar masa të menjëhershme për uljen e çmimit të karburanteve në Shqipëri.

Në një komunikim për mediat, Berisha bëri me dije se Partia Demokratike ka përgatitur një draft ligjor që kërkon përgjysmimin e taksës së qarkullimit dhe lëvizjen e akcizës, duke marrë si shembull sistemet fiskale të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

“Kemi përgatitur draftin me të cilin ne kërkojmë menjëherë përgjysmimin e taksës së qarkullimit dhe lëvizjen e akcizës.

Pra ligji ynë propozon përgjysmimin e taksës së qarkullimit dhe lëvizjen e akcizës. Ne do të kërkojmë dhe të vendoset sistemi fiskal që ekziston në Kosovë dhe Maqedoni, vende në të cilat nafta rritet, kur rritet në tregun botëror, por kjo rritje përsëri bën që në këto vende çmimi të jetë 70% më i ulët se në Shqipëri”.

Sipas tij, rritja e çmimeve është një spekulim i madh në Shqipëri.

“Zotimi ynë është dhe ka qenë, i prerë që në territorin e Republikës së Shqipërisë nuk mund të shitet një litër naftë më shtrenjtë se në Maqedoni dhe në Kosovë, çka do të thotë se ne do të barazonim taksat me këto dy vende dhe pastaj gjithçka tjetër do të goditej me dorë të hekur si spekulim.

Sepse Maqedonia dhe Kosova nuk kanë asnjë pëllëmbë det, dhe naftën e marrin nga Durrës apo Selaniku dhe naftën e shesin rreth 70% ndën çmimin e Shqipërisë.

Kështu që duke niveluar taksat me këto vende ne i hapim rrugën një çmimi të barabartë me këto vende”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë