Nga Gazeta ‘Si’- Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi në mbledhjen e Asamblesë nuk kurseu vlerësimin për lidershipin e Edi Ramës, duke thënë se falë tij Partia Socialiste sot është më fituese dhe më e organizuar se kurrë.
Ai shtoi se fitorja e thellë e PS-së në zgjedhjet parlamentare të 2025, me mbi 300 mijë vota diferencë me opozitën, tregon sipas tij se selia rozë ka marrë një fitore të plotë dhe jo të rastësishme.
Mandej ai bëri një analizë të punës në zgjedhjet e 2025, krahasuar me 2021-shin.
Klosi tha se Fieri del si qarku më i fortë, ndërsa për Tiranën theksoi se është rezervuari më i madh i votës së PS, një qark ku është edhe beteja më e madhe.
Klosi tha se rezultatet e 2025-ës tregojnë se PS sipas tij nuk është vetëm forcë e parë në shumicën e qarqeve, por edhe forca më e organizuar në terren. Betejë, socialistet shohin ende qarqe si Kukësi, Shkodra e Lezha.
“Nga 12% e anëtarësisë, numri i të rinjve u rrit në 25% krahasuar me 2021-shin. Numri i grave pati një rritje nga 26% në 34%.
Fieri del qarku më i fortë, por shumica e qarqeve janë mesazh stabiliteti për PS. PS nuk është vetëm forcë e parë, por është forca që organizon terren. Tirana është rezervuari më i madh i votës sonë, kjo e bën Tiranën edhe sfidën më të madhe. Lezha për pak vota nuk ia doli të ishte qark fitues, Kukësi dhe Shkodra mbeten territore ku beteja vazhdon. Ndryshimi ndaj 2021, kemi pasur disa pika të rëndësishme. Dibra fiton me 11.5% më shumë, Fieri 10.1%. Shkodra 9.6% më shumë, Gjirokastra me 8% dhe kështu qarqet vazhdojnë pothuajse të gjitha në tendencë rritje”, tha Klosi.

Ndërkohë, Klosi tha se “humbja e një bashkie si Kavaja na dëmton në rezultatin e të gjithë qarkut të Tiranës”. Klosi u shpreh se Tirana është qark i fituar, por jo në maksimumin e PS.
“Nuk kemi arritur akoma maksimumin tonë, këtu flas për të gjithë qarkun. Ka ardhur koha për rivlerësim të njohjes së listës nga strukturat e PS. Sot që kemi teknologji, duhet të kemi strukturë që ta njohë më mirë listën përkatëse”, theksoi Klosi.
Klosi bëri me dije detyrat kryesore të asamblesë, duke theksuar se hapi i radhës është kthimi i suksesit elektoral në një forcë më të madhe organizative.
Ai tha se deri më 16 prill do të kryhet analiza e çdo organizate, deri më 13 maj do të zhvillohen zgjedhjet në organizatat socialiste, nga 16 maji deri më 12 qershor do të mbahen zgjedhjet e kryetarëve në bashki, ndërsa deri më 30 qershor do të bëhet konstituimi i organeve lokale.
Një tjetër objektiv i rëndësishëm, sipas tij, është shtimi i anëtarësisë, me synimin për të afruar minimalisht katër anëtarë të rinj në çdo organizatë, me fokus te të rinjtë.
Ai shtoi se asambleja do të punojë gjithashtu për hartimin e një programi të posaçëm për vlerësimin e kontributeve ndër vite.
Ai theksoi se prioritet do të jetë rritja e anëtarësisë, veçanërisht përmes përfshirjes së të rinjve.
“4 anëtarë të rinj në çdo organizatë të PS”, tha ai.
Gjithashtu, pritet të vlerësohet një program i posaçëm për kontribuesit, me synim forcimin e kulturës organizative dhe ndërtimin e një arkivi historik për partinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje