Nga Gazeta ‘Si’- Shqipëria dhe Kosova janë cilësuar si vende “pjesërisht të lira” në raportin më të fundit vjetor të organizatës Freedom House me seli në Uashington.
Të dyja vendet kanë shënuar përparim me një pikë në Raportin e vitit 2026 për Lirinë në Botë, krahasuar me një vit më parë.
Aktualisht Shqipëria vlerësohet me 69/100 pikë dhe renditet më lart krahasuar me vendet e rajonit.

Shqipëria lë pas Malin e Zi me 68 pikë, Maqedoninë e Veriut me 67 pikë, Kosovën me 61 pikë.
Më keq në rajon, renditen Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, përkatësisht me 53 dhe 54 pikë.
Në raportin e publikuar, në pjesën për Shqipërinë thuhet se vendi zhvillon zgjedhje konkurruese megjithëse skena politike mbetet e polarizuar dhe shpesh e organizuar rreth figurave kryesore politike.
Freedom House vlerëson se vendi respekton lirinë fetare dhe të drejtën e tubimit, duke e pozicionuar Shqipërinë pozitivisht në aspektin e lirive qytetare.
Megjithatë, problemet kryesore që raporti evidenton janë korrupsioni i përhapur dhe sfidat në funksionimin e shtetit të së drejtës dhe pse theksohet se qeveria ka marrë hapa për të adresuar korrupsionin në sistemin gjyqësor.
Ndërsa në pjesën për Kosovën, raporti thekson se kriza politike dhe institucionale që goditi vendin gjatë vitit të kaluar, kur Kosova u qeveris pothuajse tërë kohën nga një qeveri në detyrë, ka ndikuar në përparimin e vendit në gjyqësor.

“Në Kosovë, për shembull, ligjvënësit e sapozgjedhur nuk arritën të formonin një qeveri për pjesën më të madhe të vitit, ndërsa qeveria në detyrë thuhet se e tejkaloi mandatin e saj teknik, duke rezultuar në zgjedhje të parakohshme; kjo bllokadë i zbehu përparimet e vendit në pavarësinë gjyqësore dhe sigurinë fizike”, thuhet në raport.
Raporti përfshin vlerësime dhe raporte për vendet mbi të drejtat politike dhe liritë qytetare në 195 vende dhe 13 territore në mbarë botën.
Raporti i këtij viti mbulon zhvillimet nga 1 janari 2025 deri më 31 dhjetor 2025.
Puçet ushtarake, dhuna kundër protestuesve paqësorë dhe përpjekjet për të dobësuar garancitë kushtetuese gjatë vitit 2025, bënë që ky të ishte viti i 20-të radhazi të rënies së lirisë globale, sipas raportit nga Freedom House.
Raporti zbuloi se 54 vende përjetuan përkeqësim të të drejtave politike dhe lirive qytetare, ndërsa vetëm 35 shënuan përmirësime.
Sot, vetëm 21 për qind e popullsisë së botës jeton në vende të vlerësuara si të lira, një rënie nga 46 për qind që ishte para dy dekadash, thuhet në raport.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje