Politike

PD sqaron mungesën në Gjermani: Peleshi përjashtoi opozitën nga delegacioni

Nga Gazeta ‘Si’– Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka reaguar përmes një njoftimi për mediat, lidhur me mungesën e një përfaqësuesi të tyre gjatë vizitës zyrtare të delegacionit të Kuvendit shqiptar në Gjermani.

PD akuzon kreun e Kuvendit Niko Peleshin, se ai e ka përjashtuar grupin e Partisë Demokratike, ndonëse vetë i kishte ftuar fillimisht ata.

“Niko Peleshi, në një akt të paprecedentë për një Kryetar Kuvendi, por të përsëritur prej tij, ka vendosur më pas pa asnjë arsye të përjashtojë grupin më të madh të opozitës në Kuvend nga delegacioni zyrtar i Kuvendit të Shqipërisë në Bundestag. Emrat e përfaqësuesve të Partisë Demokratike u hoqën qëllimisht për ta përjashtuar PD nga përfaqësimi institucional.

Fatkeqësisht, ky vendim tregon sa vite dritë larg standardeve demokratike të Bundestagut gjerman është sot drejtimi i maxhorancës parlamentare”, thuhet në reagimin e PD-së.

Sipas grupit parlamentar demokrat, më 4 mars, vetë kreu i Kuvendit Peleshi u kishte dërguar një kërkesë për të caktuar dy deputetë në këtë delegacion.

Nga ana e kryetarit të grupit parlamentar Gazment Bardhi, u caktuan Tomorr Alizoti (nënkryetar i grupit parlamentar dhe njëherazi nënkryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri – Gjermani) si dhe Klevis Balliu (Nënkryetar i Komisionit të Sigurisë dhe njëherazi anëtar i Grupit të Miqësisë Shqipëri – Gjermani).

Deputetët demokratë shprehen se gjithsesi nuk presin standarde europiane nga kreu i Kuvendit.

“Trajtimi i opozitës si armik nuk e zhbën problemin kryesor të kësaj maxhorance: lidhjet me krimin e organizuar dhe mbrojtjen e korrupsionit përmes votës në Parlament. Dhe ndërkohë që flasin për anëtarësim në Europë, negociatat më të frytshme i bëjnë me skifterët e orëve të vjedhura nëpër Europë apo duke bashkëpunuar me organizatat më të rrezikshme kriminale në vend! Ne nuk presim standarde europiane nga një Kryetar Kuvendi që nuk vendos dot vetë, por urdhërohet nga ushtarët politikë të Suel Çelës. Po të mos ishte në kërkim ky i fundit, sot mund ta shihnim si pjesë të delegacionit njëpartiak në Bundestag.”, vijon më tej reagimi.

Më tej, grupi parlamentar demokrat thotë se megjithatë “kjo sjellje e Kryetarit të Kuvendit nuk e pengon opozitën që të përfaqësohet në marrëdhëniet me partnerët tanë ndërkombëtar”.

Kjo sepse opozita po zhvillon takimet e saj në Bundestag dhe në Qeverinë Federale Gjermane.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë