Nga Gazeta ‘SI’ – Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo, tregoi sot për median se deri më tani janë regjistruar 400 aplikime për nismën e “Paketës së Maleve”.
“Jemi të gatshëm të asistojmë bashkitë për shpalljen sa më të shpejtë të zonave prioritare. Pas miratimit të tyre nga qeveria, bashkitë do të ndjekin hapat e parashikuar në ligj. Në mbledhjen e radhës së qeverisë do të kemi 8 bashki të përfshira në zonat prioritare. Bashkitë janë të hapura dhe kanë në dispozicion të gjithë kornizën ligjore”, theksoi ministri duke theksuar se deri në fund të vitit do të ketë 1.000 aplikime.
Më tej, ministri duke u ndalur tek Reforma Territoriale, tha që priste që punimet në Komisionin e Posaçëm të ngritur në Parlament për këtë reformë të kishin ecur më shpejt.
“Për reformën territoriale nuk e lashë në fund për nga rëndësia por besoj mund të jetë tema për të cilën mund të kemi më shumë pyetje. Besoj se isha i qartë radhën e kaluar. Komisioni i posaçëm në parlament tashmë është duke definuar metodologjinë sa i përket turit dëgjimor që do ndodhë në territor apo dëgjesave që do të zhvillohen në Komisionin e Posaçëm në Parlament. Pritshmëria ime ka qenë që komisioni do ecte më shpejt, por do doja të nënvizoja që ne si qeveri i qëndrojmë fort parimeve të transparencës mbi këtë proces.”, tha Demo.
Ministri për Pushtetin Vendor u shpreh se “arritja më e madhe” e kësaj reforme ishte shëndeti financiar i Bashkive.
“Situata që ne kishim përpara dy viteve sot nuk është më sepse qeveria ka ndërhyrë duke mbështetur bashkitë që kanë patur vështirësi financiar.”, tha Demo.
Ai shtoi më tej se: “Sot që ne flasim, borxhi që bashkitë kanë është në shifra jo problematike, bashkitë janë të shëndetshme, nuk kanë detyrime të prapambetura që mund të krijojnë probleme në sistem. Ka 3-4 bashki që patjetër duhet të punojnë më shumë dhe qeveria është aty për t’i ndihmuar.”
Po ashtu gjatë kësaj konference, Demo përmendi rëndësinë e kësaj reforme në ambicien e vendit për integrimin në BE. Ai paralajmëroi se në nivel bashkish po vjen një ‘cunami’.
“Bile unë mendoj se në momentin që jemi vend anëtar i BE do të kemi punë për të bërë për të rritur dhe për përmirësuar funksionimin e të gjitha institucioneve, duke përfshirë bashkitë. Procesi i integrimit është shumë kompleks dhe ne duhet të jemi të sinqertë që ai objektiv ambicioz që kemi, dhe ne jemi duke punuar fuqimisht, dhe vetvetiu nuk do të thotë që çdo gjë është zgjidhur. Procesi kërkon detyrimisht një transformim radikal të të gjitha institucioneve. Kur flasim për bashkitë, unë përmend faktin se një cunami është duke ardhur nga pikëpamja rregullative dhe e standardeve të reja që bashkitë duhet të plotësojnë si rrjedhojë e procesit të integrimit.”, tha ministri i Pushtetit Vendor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje