Ekonomi

Eksportet shqiptare rriten me 16% në shkurt për shkak të energjisë elektrike

Nga Gazeta ‘SI’ – Eksportet shqiptare kanë përjetuar një rritje gjatë shkurtit duke arritur vlerën e 31 mld lekëve. Nga janari eksportet u rritën me 16%, ndërsa nga shkurti i kaluar me 2.8%.

Importet arritën 68 miliardë lekë, me një rritje të lehtë prej 0.8% vjetore, por 17.6% më shumë se në muajin e mëparshëm.

Deficiti tregtar për këtë muaj ishte 37.1 miliardë lekë, duke u ulur pak me 0.8% krahasuar me shkurt 2025, por duke shënuar një rritje prej 19.2% krahasuar me Janar 2026.

Në rritjen e eksporteve ndikuan kryesisht grupet e Mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike (+6,3 pikë përqindje) dhe Makinerisë dhe pajisjeve me pjesë këmbimi (+0,7 pikë përqindje). Nga ana tjetër, eksportet ranë për Ushqime, pije dhe duhan (-2,1 pikë përqindje), Tekstile dhe këpucë (-1,1 pikë përqindje) dhe Materiale ndërtimi dhe metale (-0,9 pikë përqindje).

Sa i përket importeve, rritjen e mbajtën grupet Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi (+5,0 pikë përqindje) dhe Ushqime, pije dhe duhan (+0,9 pikë përqindje). Rëniet më të mëdha erdhën nga Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike (-3,6 pikë përqindje), Materiale ndërtimi dhe metale (-1,3 pikë përqindje) dhe Produkte kimike dhe plastike (-1,1 pikë përqindje).

Nga ana e tregtisë me vendet partnere, eksportet u rritën më shumë drejt Kosovës (+37,1%) dhe Gjermanisë (+34,7%), ndërsa ranë drejt Italisë (-5,1%) dhe Spanjës (-42,3%). Në import, rritje të konsiderueshme u panë nga Kina (+53,9%) dhe Kosova (+36,5%), ndërsa rëniet më të mëdha ishin nga Italia (-5,5%) dhe Turqia (-20,7%).

Shkëmbimet tregtare me vendet e Bashkimit Evropian përbëjnë 56.3% të totalit. Eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 70.3% të eksporteve gjithsej, ndërsa importet nga vendet e BE-së përbëjnë 49.9% të importeve gjithsej.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë