Politike

Pas bojkotit në Kuvend, PD me ‘vendim paralel’: Shpallim Gardën Revolucionare organizatë terroriste

Nga Gazeta ‘Si’- Ndërkohë që opozita nuk mori pjesë në votimin e rezolutës kundër Iranit, Partia Demokratike në një reagim zyrtar thotë se shpall Gardën Revolucionare si organizatë terroriste.

PD shkruan se dënon me forcën më të madhe sulmet e Teheranit ndaj vendeve të Gjirit Persik, Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit, Kuvajtit, Bahrejnit dhe vendeve të tjera mike të Shqipërisë dhe ju shpreh këtyre vendeve solidaritetin e saj të plotë.

Po ashtu Partia Demokratike shprehet se mbështet përpjekjet e SHBA-së dhe Izraelit për përmbysjen e diktaturës mizore teokratike të Ajatollahëve dhe zëvendësimin e këtij regjimi me një qeveri të zgjedhur nga populli.

PD shkruan në deklaratë se ajo e cilëson shtetin e Ajatollahëve si sponsorin kryesor të terrorizmit në botë dhe një kërcënim madhor për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe kudo në glob.

Partia Demokratike mungoi në seancë, me argumentin se nuk kishte rend dite të miratuar zyrtarisht, dhe zgjodhi të ishte në terren pranë qytetarëve për t’u mobilizuar për protestën e 22 marsit.

Kreu i grupit të PS, Taulant Balla shprehu keqardhjen për mungesën e opozitës, duke thënë se qëndruan krah SHBA dhe BE-së në një moment solemn, por zgjodhën interesin e javës për protestën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë