Nga Gazeta ‘Si’- Me 79 vota pro dhe një abstenim Parlamenti miratoi projektrezolutën për shpalljen e Iranit si shtet që sponsorizon terrorizmin.

Në këtë seancë nuk mori pjesë Partia Demokratike, pasi e konsideroi atë si të paligjshme dhe të thirrur në kundërshtim të hapur me rregulloren e Kuvendit. Nga opozita të pranishëm ishin vetëm Erald Kapri dhe Redi Muçi.

Nga ana tjetër kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla është shprehur se Shqipëria me këtë iniciativë qëndron përkrah aleatëve të saj strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Balla bëri thirrje që Garda Revolucionare e Iranit dhe organizata Hezbollah në Liban të shpallen organizata terroriste.
Në fjalën e tij Balla solli në vëmendje se vetë Shqipëria disa herë ka qenë objekt i sulmeve kibernetike. Ai përmendi sulmin në 2022 ndaj institucioneve, por edhe atë më të fundit kundër Kuvendit.
Sipas Ballës, këto sulme kanë pasur si synim destabilizimin e institucioneve demokratike dhe funksionimin normal të shtetit, duke theksuar se këto janë akte të mirëfillta armiqësore.



Gjatë fjalës së tij Balla shprehu keqardhje për mungesën e opozitës në Parlament.
“Lufta kundër terrorizmit nuk është thjesht çështje sigurie, është betejë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar. Shqipëria ka qenë dhe mbetet vend i qartë dhe i palëkundur në këtë qëndrim të saj.
Ne jemi vend që kemi zgjedhur anën e demokracive, bashkëpunimit ndërkombëtar kundër terrorizmit. Shqipëria ka jo vetëm të drejtën, por edhe të kontribuojë në sigurinë kolektive të NATOS-s dhe komunitetit ndërkombëtar. Rezoluta është pjesë e këtij angazhimi të vazhdueshëm. Vendi ynë ka qenë objekt i sulmeve në hapësirën kibernetike. Sulmi i rëndë ndaj institucioneve të Republikës së Shqipërisë në 2022, ishte një nga episodet më serioze të agresionit kibernetik të një vendi sovran. Pak ditë më parë, Kuvendi ishte shënjestra e një sulmi të ri kibernetik. Këto janë akte armiqësore, që synojnë destabilizimin e institucioneve demokratike dhe funksionim normal të një shtetit. Rezoluta synon të adresojë këtë realitete.
Synojmë të dënojmë çdo formë të mbështetjes shtetërore për terrorizmin, dënojmë përdorimin e mjeteve hibride kundër institucioneve të shteteve sovrane. Rezoluta i bën thirrje qeverisë shqiptare të shpallë gardën revolucionare të Iranit dhe Hezbollahun si organizata terroriste.
Keqardhje për mungesën në këtë seancë të deputetëve të tre grupeve parlamentare të opozitës, që ditën që në një moment solemn, të një qëndrimi urgjent të Shqipërisë krah SHBA, BE, dhe plot vende të tjera, përkrah Britanisë, nuk dolën sot mbi interesin e vogël të javës të njoftuar për një tjetër protestë pa krye, të vinin në kuvend për këtë qëndrim, që është urgjent dhe i nevojshëm sa i përket sulmit kibernetik kundër Kuvendit, sa i përket interesit të Shqipërisë, por edhe zhvillimit që lidhen me bllokimin apo minimin e kanalit të Hormuzit.
Për ta parë jo si akt formal, por si deklaratë të vlerave dhe përgjegjësisë sonë, si një aleat i NATO-s dhe si një vend që brenda 2030 do jetë në BE”, tha Balla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje