Rend dhe Ligj

Tritoli ndaj makinës së Oltjon Klosit u porosit nga burgu për pazaret e drogës!

Gazeta Si – Sabah Nuzi është personi, i cili dyshohet se urdhëroi nga burgu i Fushë Krujës që t’i vendosej tritol makinës së Oltjon Klosit mëngjesin e 10 marsit 2026.

Shkak për këtë ngjarje dyshohet të jetë bërë një borxh që i 36-vjeçari i kishte marrë Nuzit në Spanjë për pazaret e drogës.

Klosi pretendonte se e kishte shlyer borxhin, ndërsa porositësi pretendonte se i detyrohej edhe 15 mijë euro Sabah Nuzit, i cili ndodhet në burg i akuzuar nga GJKKO si vrasësi i 22-vjeçarit Klevis Lleshi në gusht të vitit 2020.

Arrestimi i 7 personave

Për këtë ngjarje, 7 persona u arrestuan të dyshuar si autorët e shpërthimit të lëndës plasëse në automjetin e Klosit në rrugën “Vasil Ndocka” në kryeqytet.

Ata janë Jurgen Gjonaj, 32 vjeç, Renato Balla, 25 vjeç, Kristjan Ahmerama 24 vjeç dhe Eklips Leti 27 vjeç, për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, e kryer në bashkëpunim; dhe Glentjan Kojtari 29 vjeç, Dorjan Hamolli 34 vjeç dhe Geris Molla 19 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, e kryer në bashkëpunim.

Sipas hetimeve, del se Jurgen Gjonaj është personi që ka vendosur dhe shpërthyer lëndën eksplozive, i cili është ndihmuar nga Kristjan Ahmerama, Renato Balla dhe Eklips Leti, duke i siguruar fotot dhe vendndodhjen e automjetit të dëmtuar, biçikletën me të cilën ka lëvizur autori, banesën ku është strehuar, si dhe sasinë e lëndës eksplozive të vendosur.

Tre persona të tjerë u arrestuan, pasi ndihmuan autorin të largohej me makinë menjëherë pas krimit. Gjatë aksionit, policia sekuestroi si prova veshjet që autori mbante veshur atë natë, biçikletën, makinat e përdorura nga grupi dhe telefonat e tyre celularë.

Kush është Sabah Nuzi, i dyshuar si vrasës me pagesë

Vrasja dhe groposja e Klevis Lleshit, ngjarje për të cilën Sabah Nuzi ndodhet në qeli si ekzekutor, dyshohet se u porosit nga Aurel Hoxha, si hakmarrje për vrasjen e vëllait të tij në Londër, nga Arben Lleshi, edhe ky i vrarë në burgun e Peqinit, nga i dënuari Sokol Mjacaj.

Nuzi dyshohet se ka pasur rolin e ekzekutorit në këtë ngjarje dhe rezulton me precedentë të theksuar kriminalë. Në vitin 2020, ai u arrestua nga Policia e Matit pasi kishte qëlluar me armë në ajër dhe kishte kërcënuar një person.

Edhe më herët, në vitin 2012, kur ka qenë vetëm 18 vjeç, është prangosur për plagosjen e 3 personave me pistoletë.

Aktualisht Nuzi ndodhet në burgun e Fushë-Krujës i akuzuar për veprat penale “Vrasje për gjakmarrje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “Organizata kriminale”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë