Para

‘Pastrimi i parave në Shqipëri, po bëhet më kompleks dhe i organizuar’

Nga Gazeta ‘SI’ – Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) vlerëson se pastrimi i parave mbetet një aktivitet me risk të lartë në Shqipëri. Në raportin përfundimtar për vitin 2025, institucioni thekson se zhvillimi i teknologjisë ka sjellë edhe forma dhe kanale të reja për “larjen” e parave me origjinë kriminale.

Sipas analizës së SPAK, rastet e hetuara në vitet e fundit tregojnë se pastrimi i parave është i lidhur ngushtë me aktivitete të tjera kriminale, si trafiku i narkotikëve, trafiku i armëve, emigrimi i paligjshëm, trafikimi i qenieve njerëzore dhe skemat mashtruese financiare.

Në raport thuhet se grupet kriminale përdorin metoda të ndryshme për të fshehur origjinën e fondeve, përfshirë sistemet informale të transferimit të parave si “Havala”, përdorimin e kriptovalutave, qarkullimin e parasë cash dhe ndarjen e transaksioneve në shuma më të vogla për të shmangur raportimin financiar.

SPAK evidenton gjithashtu përdorimin e rrjeteve ndërkombëtare, ku aktivitetet kriminale shpesh ndahen mes disa vendeve, duke përfshirë gjenerimin e të ardhurave, transferimin e tyre dhe më pas integrimin në ekonomi përmes ndërmjetësve dhe strukturave të ndryshme mbuluese. Përdorimi i komunikimeve të enkriptuara dhe i ndërmjetësve financiarë e bën edhe më të vështirë gjurmimin e këtyre transaksioneve.

Sipas raportit, një praktikë e përsëritur është përdorimi i bizneseve formalisht të ligjshme për të qarkulluar dhe ricikluar fondet. Në disa raste janë përfshirë zyra këmbimi valutor, shoqëri transfertash parash, agjenci udhëtimi, kompani ndërtimi dhe struktura financiare jobankare, të cilat shërbejnë për depozitimin e parave dhe krijimin e dokumentacionit fiktiv.

Analiza tregon gjithashtu se personat që merren me transferimin dhe transportimin e parave përfitojnë zakonisht nga 3 deri në 10% të shumës së dërguar, ndërsa transportuesit fizikë marrin shpërblime më të ulëta ose pagesa fikse për çdo dërgesë.

Faza e fundit e pastrimit të parave realizohet shpesh përmes investimeve në pasuri të paluajtshme, biznese me qarkullim të lartë cash dhe aktivitete tregtare me kontroll të dobët financiar. Sipas SPAK, këto raste tregojnë se skemat e pastrimit të parave po bëhen gjithnjë e më të organizuara dhe të sofistikuara, duke përfshirë bashkëpunim ndërkombëtar dhe përdorimin e instrumenteve financiare alternative.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë