Nga Gazeta ‘Si’- Deputeti i opozitës Gazment Bardhi akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka ndërhyrë politikisht për të penguar arrestimin e Belinda Ballukut.
Sipas Bardhit, vendimi i Ramës nuk është një vendim juridik, por një vendim politik për të mbrojtur pushtetin e tij dhe interesat e qeverisë.
Bardhi tha se kjo tregon një përmbysje të prioriteteve në Shqipëri, ku sipas tij korrupsioni prezantohet si viktimë, ndërsa drejtësia kritikohet.
Ai shtoi se nga provat e SPAK rezulton se Balluku ka abuzuar me 11 tenderat prej 1.1 miliardë euro, ndërsa theksoi se “kryeministri zgjodhi të sulmojë drejtësinë dhe të përdorë Parlamentin për ta penguar atë”.
Bardhi deklaroi gjithashtu se vendimi i Ramës është në kundërshtim me parimin europian të barazisë para ligjit dhe sipas tij pengon procesin e hetimit ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë.
Ai bëri thirrje për angazhim qytetar dhe theksoi se më 12 mars qytetarët do të tregojnë se Shqipëria nuk mund të jetë peng i korrupsionit.
“Edhe sikur dosja e SPAK të kishte jo 16 mijë faqe, por 166 mijë faqe prova, Edi Rama do të kishte marrë të njëjtin vendim. Sepse ky nuk ishte një vendim juridik.Ishte një vendim politik për të mbrojtur pushtetin e tij, veten e tij.Parimi europian që Edi Rama dështoi ta përmbushë në këtë rast është shumë i thjeshtë: në një shtet ligjor askush nuk duhet të mbrohet nga drejtësia për shkak të pushtetit që ka”, tha Bardhi.
Sipas Bardhit, sot kur ligji ka trokitur ka trokitur në paradhomën e tij, Edi Rama ka ndryshuar standard.
“Çfarë mesazhi u kemi dërguar sot vendeve të Bashkimit Europian, që na kërkojnë sundimin e ligjit dhe luftë reale kundër korrupsionit në nivelet më të larta? E them me bindje: jo pasaportë europiane, por as pasaportë iraniane nuk marrim me këtë standard, ku hetimi nuk përcaktohet nga prokuroria, por nga Gjykata supreme e mazhorancës qeverisëse”, deklaroi kreu i Grupit Parlamentar të PD.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje