Politike

Kaosi në Kuvend, përjashtohen me nga 10 ditë Bardhi dhe Balliu. Falet Balla

Nga Gazeta ‘Si’- Sekretariati i Etikës ka përjashtuar me nga 10 ditë nga Kuvendi dy deputetët e PD, Gazment Bardhin dhe Klevis Balliun, ndërsa i ka shpëtuar masës disiplinore Taulant Balla, kreu i Grupit Parlamentar Socialist.

Në seancën e javës së shkuar, Bardhi ofendoi rëndë gratë e Partisë Socialiste teksa i kundërpërgjigjej kreut të grupit të PS-së Taulant Balla, për frazën që ky i fundit i tha deputetes Albana Vokshi.

“Je mësu me ato kur*at e partisë tënde“, iu drejtua Bardhi socialistit. Ndërkohë, Balliu tentoi të godiste me grusht Ballën dhe dëmtoi disa pajisje në sallë.

Kështu, dy opozitarët nuk do të jenë të pranishëm në seancën e 12 marsit, vendimtare për çështjen e ish-ministres Belinda Balluku.

Në orën 15:00 u shqyrtua edhe kërkesa e PD-së për Ballën, me pretendimin se ky i fundit ofendoi dhe diskriminoi Vokshin duke i thënë “0900 është numri për ty”.

Në letër thuhej se kërkesa nuk ka për qëllim ndëshkimin e Ballës për fyerjet ndaj Vokshit, por të përçojë në shoqëri mesazhin se Kuvendi dënon dhe e konsideron të papranueshëm çdo formë diskriminimi, ngacmimi seksual apo përhapjeje urrejtjeje mbi baza gjinore.

Mes tensioneve, Balla i kërkoi ndjesë deputetes, duke sqaruar se nuk kishte për qëllim ta fyente. “Në atë numër merret informacion mbi vendimmmarjen e BE-së”, argumentoi ai. Megjithatë, Sekretariati nuk e ka përjashtuar kreun e grupit parlamentar të PS-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë