Politike

Manja: S’ka prova që Balluku të ketë intimiduar dëshmitarë. As rrezik real arratisjeje

Nga Gazeta ‘Si’-Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja ndërsa tha se pavarësisht se SPAK ka shtuar fakte penale të reja ndaj Belinda Ballukut, vepra mbetet e njëjtë, ajo e shkeljes së barazisë në tendera.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Ulsi Manja pretendoi se nëse çdo zgjerim i hetimit duhet të konsiderohet rrethanë e re që të kërkojë arrest për Ballukun, do të binte në kundërshtim me proporcionalitetin.

“SPAK thotë se janë shtuar edhe disa fakte të reja penale, çka sipas saj, shtimi i tyre e shton automatikisht sanksionin e veprës, por edhe dëmin që ka pësuar shteti nga këto procedura. Në vlerësimin tonë, nëse pranohet fakti se çdo zgjerim i hetimit mund të konsiderohet rrethanë e re që të kërkojë arresti, atëherë çdo procedim kompleks me shumë episode do të përfundonte në paraburgim, që do të binte në kundërshtim në raport me proporcionalitetin.

Edhe me shtimin e episodeve të reja të pretenduara, nuk ndryshon natyra e veprës penale, mbetet e njëjta, shkelje e barazisë në pjesëmarrjen në tendera. Nuk ka vepër penale të re që të jetë marrë e shtuar deputetes Balluku nga SPAK. Pra, pretendimi për rëndimin e nevojave të sigurimit nuk rezulton të përmbushë standardin procedural të kërkuar për zëvendësimin e masës së sigurimit”, tha ai.

Manja tha se Balluku nuk është më ministre ndaj dhe nuk ka asnjë mundësi që të bëjë presion mbi dëshmitarët.

“Mbi rrezikun e prishjes së provave: prokuroria përmend mundësinë e ndikimit përmes personave me influencë si dhe tentative presioni ndaj dëshmitarëve. Lidhur me këtë pretendim në kërkesën e SPAK, prokuroria i referohej faktit kur ishte Ministre. Ky shkak tani ka rënë. Ndaj Ballukut nuk ka një akuzë për pengim të drejtësisë. Nuk ka asnjë provë, direkte apo indirekte kur deputetja të ketë përdorur ndikimin e saj për të prishur provat”, u shpreh Manja.

Manja u ndal edhe te rreziku për intimidimin e dëshmitarëve nga të fortë të lidhur me Belinda Ballukun, duke thënë se kjo nuk qëndron. Sipas tij, ekziston një bisedë mes dy dëshmitareve, njëra prej të cilave pranon se i kanë bërë presion nga njerëz të kabinetit të Ballukut dhe të fortë të lidhur me të.

Sipas Ulsi Manjës, përderisa ndaj Belinda Ballukut nuk ka një akuzë për “pengim drejtësie”, atëherë nuk ekzistojnë provat dhe mundësia që ajo të ketë lidhje me këto kërcënime.

“Na u paraqit një procesverbal ku dy shtetase bisedojnë me njëra-tjetrën lidhur me dëshminë që njëra ka dhënë gjatë hetimit në SPAK. Ajo pretendon se ajo është intimiduar. Nuk rezulton as nga procesverbali, as nga deklarimet e kësaj shtetase që ajo të jetë intimiduar, nga deputetja jo e jo, por edhe kur thuhet nga Kabineti, ai është nocion abstrakt. Hetimi penal nuk mund të zhvillohet mbi kabinetin.

Por edhe pretendimi se kjo dëshmitare është intimiduar nga persona të fortë, ajo ka thënë se “unë i qëndroj dëshmisë sime”. Në të gjitha rastet një provë e tillë do të duhet të plotësohet edhe me prova të tjera. Lidhur me dëshmitaren, ajo ka statusin e të pandehurës në këtë procedim dhe sipas Kodit, thëniet e një të pandehure merren me rezervë.

Rreziku i prishjes së provave nuk u provua me fakte reale, por janë konsiderata që në themel të tyre kanë ish-funksionin e ministres që mbante Balluku. Po të kishte prishje provash do kishte një akuzë të dytë për pengimin e drejtësisë”, tha Manja.

Gjatë argumentimit të socialistëve, Manja tha se as rreziku për arratisje, nuk qëndron në rastin e Ballukut, pasi kjo e fundit ka dorëzuar te autoritete edhe pasaportën edhe kartën e identitetit.

Ai theksoi se sa herë gjatë kësaj periudhe asaj i është dashur të udhëtojë jashtë vendit për çështje pune, është rikthyer.

“Sa i përket rrezikut të arratisjes, ai duhet të jetë real dhe jo i supozuar. Balluku edhe pse ka qenë në dijeni të hetimeve të saj, ka udhëtuar disa herë jashtë shtetit dhe është kthyer në Shqipëri.

Ka udhëtuar në Bukuresht, në Athinë, në Romë dhe në të gjitha rastet është kthyer duke reflektuar një sjellje të rregullt dhe jo shmangëse ndaj autoriteteve proceduese. Ka dorëzuar të gjitha dokumentet e identifikimit, madje edhe kartën e re të identitetit. Ju e dini shumë mirë që me kartë identiteti lëvizet në vendet e rajonit. Pretendimi se shtimi i sanksionit penal mund të çojë në një rrezik për t’u arratisur bie poshtë”, tha Manja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë