Politike

Balluku: Nuk kam pasur kurrë lidhje me korrupsionin dhe nuk kam penguar hetimet

Nga Gazeta ‘Si’- Ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku ka reaguar për herë të parë ndaj hetimit që po zhvillon SPAK në ngarkim të saj.

Balluku tha se nuk ka pasur kurrë lidhje me korrupsionin dhe deklaroi se si ministre nuk e ka penguar kurrë drejtësinë. Përkundrazi, ajo shprehet se nxit prokurorinë që të hetojë për të nxjerrë në sipërfaqe të vërtetën.

Gjatë prezantimit të ministrit të ri të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ajo tha se ka zgjedhur të mos e komentojë drejtësinë, por shtoi se të gjithë duhet të bëjnë punën e tyre të pandikuar.

Sipas ish zv.kryeministres, ndaj saj është bërë “gjyq publik”.

“Kam vendosur ndryshe nga shumë të tjerë të mos analizoj, të mos shaj, anatemoj dhe të jem konsistente, në qëndrimin tim sa i përket drejtësisë. Nëse do i ktheheni deklaratave të mia publike nuk do gjeni asnjë deklaratë të kundërshtojë tjetrën.

Besoj që drejtësia duhet të jetë e lirë dhe e pavarur. Drejtësia e re si produkt i reformës në drejtësi, si produkt i vizionit të Edi Ramës dhe PS, si produkt i një Shqipërie europiane duhet të vazhdojë të jetë frymëzimi i këtij vendi pasi u krye për t’i kthyer besimin qytetarëve te një drejtësi e drejtë dhe e pavarur.

Nuk do më dëgjoni kurrë as ta lëvdoj kur godet kundërshtarët e mi politikë, as ta anatemoj kur kjo drejtësi mund të prekë interesat e mi personalë. Nuk do më dëgjoni të përmend prokurorë e gjyqtarë dhe secili duhet të jetë i lirë për të vendosur dhe gjykuar pa qenë i ndikuar nga gjyqet publike, nga gjysmë të vërtetat, nga të pavërtetat apo gënjeshtrat”, tha Balluku.

Ajo mohoi pretendimet e opozitës sipas të cilave Balluku zotëron 300 apartamente dhe shtoi se nuk ka as limuzina, as jahte. Ndër të tjera Balluku tha se ndjen keqardhje që i ka ngarkuar ministrisë dhe mbi të gjitha qeverisë një peshë që sipas saj nuk e meriton.

“Të gjitha këto janë pjesë e një gjyqi publik, që bëhet me lehtësinë më të madhe në këtë vend, por për të thënë të drejtën unë jam rritur me gjyqet publike dhe ndoshta kurrizi ma mban më mirë se kujtdo tjetër gjyqin publik pasi jam trajnuar dhe kalitur që e vogël. Unë di të bëj punën time.

Secili ka mënyrën e tij, jam munduar të bëj më të mirën. Por as nuk e kam penguar drejtësinë dhe as nuk do ta pengoj kurrë drejtësinë tek e cila besoj dhe e kam mbështetur si një pjesë integrale e një Shqipërie europiane”, tha Balluku.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë