Gazeta Si – Një hetim nga gazetat suedeze “Svenska Dagbladet” dhe “Goteborgs-Posten“, zbuloi se punonjësit e një kontraktori të kompanis “Meta” me seli në Kenia, ishin ngarkuar me detyrën e shikimit dhe rishikimit të videove të regjistruara me syzet inteligjente të kompanisë, duke përfshirë ato që përmbanin përmbajtje personale dhe intime të përdoruesve.
Kur u pyet nga BBC, “Meta” konfirmoi se në disa raste përdor kontraktorë për të përmirësuar performancën e produkteve të saj teknologjike dhe përvojën e përdoruesit, duke përfshirë videot e xhiruara me syzet e saj.
Syzet inteligjente të “Meta”-s, të cilat kompania i zhvilloi në bashkëpunim me Ray-Ban dhe Oakley, dy marka të njohura të syzeve në pronësi të shumëkombëshes italo-franceze, “EssilorLuxottica”, janë të dizajnuara për të regjistruar video dhe për të bërë telefonata, dhe modelet më të fundit kanë një sistem të integruar të inteligjencës artificiale.
Punëtorët e intervistuar nga gazetarët suedezë, të cilët punojnë për një kompani me seli në Nairobi të quajtur “Sama”, thanë se u ishte ngarkuar detyra të mësonin Inteligjencën Artificiale të interpretonte informacionin duke etiketuar manualisht objektet në video.
Ata thanë se panë gjithçka, nga njerëzit që përdornin banjën deri te njerëzit që bënin seks dhe shikonin pornografi.
Ata thanë gjithashtu se kishin qasje në transkriptet e disa prej bisedave të përdoruesve me Inteligjencën Artificiale për të verifikuar nëse ajo u përgjigjej pyetjeve saktë.
Ata thanë gjithashtu se për arsye privatësie në punë, atyre u ndalohet të përdorin telefonat e tyre dhe monitorohen vazhdimisht nga kamerat.
“Meta” i tha BBC-së se mundësia që videot e xhiruara me syzet e saj, të rishikohen nga rishikues të jashtëm është specifikuar në politikën e saj të privatësisë.
“Meta” i dha BBC-së një link për të parë kushtet e përdorimit të pajisjes së saj, por nuk specifikoi se ku përmenden rishikuesit njerëzorë.
Kushtet e përdorimit të Inteligjencës Artificiale të “Meta”-s në Mbretërinë e Bashkuar përcaktojnë se organizata mund të shqyrtojë gjithashtu ndërveprimet e përdoruesve me Inteligjencën Artificiale duke përdorur rishikim manual, njerëzor. Kjo thuhet gjithashtu në kushtet e përdorimit për përdoruesit në Bashkimin Evropian.
“Meta” tha se videot censurohen duke mjegulluar fytyrat përpara se t’u dorëzohen recensentëve. Megjithatë, recensentët që folën për gazetat suedeze thanë se mjetet e censurës nuk funksionojnë gjithmonë dhe se fytyrat e përdoruesve ndonjëherë janë të dukshme.
Përdoruesit mund ta aktivizojnë kamerën e syzeve manualisht ose me një komandë zanore. Përdoruesit mund të dallojnë kur pajisja po regjistron ose po bën një foto, sepse ndizet një dritë e vogël në cep të kornizës.
Megjithatë, shumë përdorues mund të mos e dinë se përmbajtja e tyre mund të shihet nga të tjerët. Falë një sistemi mikrofonash dhe altoparlantësh të vegjël të integruar në syze, përdoruesit gjithashtu mund të bëjnë telefonata, të dëgjojnë muzikë dhe të bashkëveprojnë me Inteligjencën Artificiale për të dërguar mesazhe ose për të marrë përshkrime audio të asaj që kap kamera.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje