Nga Gazeta ‘Si’– Kosova ka vendosur masa për çmimin e naftës pas një rritjeje të menjëhershme në vend si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, (MINT) Mimoza Kusari, njoftoi në Facebook se nënshkroi vendimin, sipas të cilit, caktohen fitimet maksimale të lejuara për shitjen me shumicë dhe pakicë.
Sipas vendimit, marzha tregtare maksimale e lejuar për shitje me shumicë do të jetë deri në 2 centë për litër, ndërkaq me pakicë deri në 12 centë për litër.
Kusari tha se vendimi i saj ishte “i domosdoshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë e të ndershme në tregun vendor”.
Vendimi vjen pas mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, analizimit të evidencave ditore nga Dogana e Kosovës dhe raporteve të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ku është vërtetuar se rritjet e çmimeve nga importi janë pasqyruar menjëherë në çmimet e shitjes.
Përmes kësaj mase, synohet që të ruhet stabilitetin në treg, të parandalohen abuzimet me çmime dhe të sigurohet mbrojtje efektive për konsumatorët.
Rritjet e çmimeve ndodhën pak ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën një operacion ushtarak në Iran, dhe Teherani u përgjigj me sulme në Izrael dhe vende të tjera aleate të SHBA-së në rajon.
Pas këtyre tensioneve, çmimi i naftës Brent, që është standard global, është rritur deri në 10 për qind më 1 mars dhe analistët presin rritje të mëtejshme.
Pasiguria për ndërprerje të furnizimeve u shtua veçanërisht pas pezullimit të një pjese të dërgesave përmes Ngushticës së Hormuzit.
Kjo ngushticë, përmes së cilës kalon mbi një e pesta e furnizimeve ditore globale me naftë, shërben si arterie eksporti për vende si Irani, Arabia Saudite, Kuvajti dhe Iraku.
Çdo rrezik për bllokim apo kufizim të qarkullimit përkthehet menjëherë në rritje të kostove të sigurimit dhe transportit dhe, për rrjedhojë, në çmime më të larta në tregjet botërore.
Kosova varet nga importi i derivateve të naftës pasi nuk ka rafineri të saj/ rel
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje