Nga Gazeta ‘SI’ – Autoriteti i Konkurrencës në vend, ka nisur monitorimin e tregut të karburanteve, si në shumicë ashtu edhe në pakicë, për të kontrolluar çmimet e benzinës dhe naftës në pikat e shitjes për konsumatorët.
Të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitetin e tregtimit të karburanteve janë aktualisht nën vëzhgim nga Autoriteti. Në rast se vërehen luhatje çmimesh që tejkalojnë ndryshimet e çmimeve në bursat ndërkombëtare, Autoriteti do të ndërmarrë masat e nevojshme sipas kompetencave të tij.
Çmimet e karburanteve në tregjet ndërkombëtare përditësohen vazhdimisht, duke reflektuar faktorë si oferta, kërkesa, kostot e përpunimit, si dhe zhvillime ekonomike apo gjeopolitike. Prandaj, sipas standardeve të konkurrencës së ndershme, luhatjet e çmimeve në tregun vendas duhet të jenë proporcionale me ndryshimet që regjistrohen në bursë, thotë AK. Çdo devijim i pajustifikuar, qoftë rritje më e shpejtë apo më e theksuar se tregjet ndërkombëtare, mund të jetë tregues i sjelljeve jo konkurruese.
Autoriteti thekson se nuk do të tolerojë luhatje çmimesh të pajustifikuara, koordinim të mundshëm çmimesh, abuzim me pozita dominuese apo praktika bashkërenduese mes operatorëve të tregut. Ky proces monitorimi ka për qëllim sigurimin e transparencës, funksionimin e rregullt të tregut dhe mbrojtjen e konsumatorit nga çmime të padrejta.
Lufta në Lindjen e Mesme rriti brenda pak orësh çmimet ndërkombëtare të naftës, përfshirë Shqipërinë. Shoqatat e biznesit vendas, por edhe politika reaguan të shqetësuar për një marrëveshje midis kompanive të naftës, për të mbajtur të lartë çmimin e karburanteve, në kurriz të qytetarëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje