Politike

Berisha: Protesta e radhës, më 12 mars. Rama po devijon procesin e integrimit në BE

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari Sali Berisha paralajmëroi se më 12 mars do të zhvillohet protesta e radhës e Partisë Demokratike.

Ai ftoi qytetarët t’i bashkohen asaj që ai e konsideron si “kryengritja e radhës”. Kryedemokrati e bëri njoftimin gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, sot 4 mars, një ditë para seancës plenare që do të zhvillohet në Kuvend.

“Data 12 është kryengritja e radhës. Ftoj qytetarët shqiptarë në të katërt anët e Shqipërisë të bashkohemi kundër kreut të kësaj organizate kriminale për t’i dhënë përgjigjen e merituar për vjedhjet e tij dhe për tradhtinë e lartë kombëtare që i bën idealeve”, tha Berisha.

Kryedemokrati tha gjatë fjalës së tij, se kryeministri Edi Rama ka vendosur të shkelë çdo ligj dhe normë për të mbrojtur veten e tij.

Ai akuzoi kreun e qeverisë se po devijon procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Këtu u ndal te letra e përbashkët mes tij dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, që Berisha e ka lexuar si largim nga rruga drejt BE-së.

“Tani propozon, nuk na duhet Europa, por Ballkani i Hapur. Dhe meqenëse Ballkani i Hapur ishte tregti e hapur me Serbinë pa asnjë lloj kriteri, tani na jepi edhe ju tregtinë ne. Është formale kjo, se nuk mund t’i japë kurrë se Ballkani i hapur nënkupton i hapur me Serbinë, e cila ka traktate me ish-republikat sovjetike. Ndaj dhe prodhimet në Shqipëri, të gjitha bien për shkak të importeve që bën Serbia nga republikat ish-sovjetike. Akt tjetër i tradhtisë kombëtare është ky, akti më i lartë pas tradhtisë që i ka bërë Kosovës është ky. Sepse është investuar 33 vite në procesin e integrimit në BE dhe nuk ka qenë kjo një përpjekje e gabuar. Jo, kjo ka qenë përpjekja më fisnike, investimi më i drejtë që kanë bërë shqiptarët”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë