Politike

PD kundër draftit të PS-së për ndryshimet e Rregullores së Kuvendit: Dhunë ndaj pakicës!

Nga Gazeta ‘Si’- Partia Socialiste ka dalë me një draft, në lidhje me rregulloren e re të Kuvendit të Shqipërisë.

PS kërkon që numri i Komisioneve të shkojë në 11, nga 8 që është aktualisht. Këtë kërkesë, Partia Socialiste e ka pasur edhe më herët. Mirëpo, propozimi i Partisë Socialiste u rrëzua në 23 shkurt nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Gjithashtu, kërkohet që në seancë plenare, deputetët të mos flasin më shumë se 5 minuta, nga 10 minuta që është aktualisht koha e lejuar.

Drafti i është drejtuar kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi dhe duhet të marrë votat e duhura në parlament, për t’u miratuar.

Por kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar menjëherë kundër draftit.

Duke iu referuar ndryshimeve të propozuara mbi kohën e fjalës në Parlament, deputeti demokrat i ka konsideruar ato si të njëanshme. Madje “dhunë” ndaj pakicës parlamentare.

“Rregullorja e Kuvendit nuk është Statuti i PS, që ndryshohet çdo muaj sipas vullnetit të vetëm një partie politike. Rregullorja e Kuvendit është ligji që garanton bashkëjetesën e të gjitha forcave politike brenda institucioneve demokratike, përcaktuar në mënyrë konsensuale dhe tashmë me rregulla të konsoliduara.

Nëse një palë dikton rregullat e bashkëjetesës në mënyrë të njënashme, atëherë kjo është dhunë e shumicës ndaj pakicës brenda Kuvendit! Bashkëjetesa brenda institucioneve demokratike pamundësohet dhe opozitës i diktohet me forcën e kartonit edhe nëse duhet të flasë apo jo, sa duhet të flasë dhe çfarë duhet të thotë.

Duke dënuar me forcë provokimin e ulët të Grupit Parlamentar të PS përmes propozimit të ri të njëanshëm për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, i rikujtoj se po nxit përmes veprimeve të njënashme, defunksionalizimin e Kuvendit dhe po i pamundëson opozitës përmbushjen e vullnetit të saj për të ushtruar rolin e vet në një shoqëri demokratike“, tha Bardhi.

Mes të tjerash, kreu i grupit parlamentar demokrat kujton kushtin e Komisionit Europian të vitit 2012, për ndryshime me konsensus të rregullores.

“Rikujtoj po ashtu, që në vitin 2012 ndryshimi vetëm me KONSENSUS i Rregullores së Kuvendit ishte kusht i Komisionit Europian që Shqipëria të merrte statusin e vendit kandidat për në BE. Po sot? Sot është kthyer në një leckë me të cilën mazhoranca e korruptuar e Edi Ramës provokon çdo muaj opozitën, edhe kur kësaj të fundit i jep të drejtë njëzëri Gjykata Kushtetuese. Pa asnjë grimcë ndjese, pa asnjë grimcë reflektimi.”, vazhdon më tej Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë