Nga Gazeta ‘Si’- Në seancën plenare të ditës së nesërme(5 mars) nuk është përfshirë në rend dite çështja e Belinda Ballukut ku do diskutohen raportet e dala pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve.
Po ashtu, në agjendën e seancës së 5 marsit nuk figuron as kërkesa e Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për heqjen e imunitetit të Ballukut.
Dy ditë më parë Grupi i PD-së depozitoi në Kuvend raportin e tyre ku argumentojnë se përse Kuvendi duhet të votojë pro kërkesës për heqjen e imunitetit të saj.
Por, socialistët, që do të dalin gjithashtu me një raport më vete, nuk kanë publikuar dhe nuk kanë depozituar ende asgjë në Kuvend.
Një ditë më herët kreu i PD Sali Berisha iu bëri thirrje mbështetësve të tij të protestojnë gjatë kohës kur në seancë do të diskutohet heqja e imunitetit. Tani mbetet për t’u parë se në cilën seancë parlamentare do të trajtohet kjo çështje.
Belinda Balluku u shkarkua javën e kaluar nga posti i zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ish zv.kryeministrja përballet zyrtarisht me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera në tunelin e Llogarasë, ndërsa aktualisht është nën hetim edhe për procedura të tjera tenderuese, përfshirë Lotet e Unazës së Madhe.
SPAK ka argumentuar në mbledhjen e Këshillit të Mandateve se kërkesa për arrestin e saj vjen për shkak se pozitat e saj janë rënduar, dhe se ka dyshime që ajo ka përdorur persona të fortë dhe zyrtarë publikë për të intimiduar dëshmitarët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje