Nga Gazeta ‘Si’– Si shumica e njerëzve, ndoshta dëshironi një partner që ju trajton mirë.
Megjithatë, shpesh ndodh që sapo dikush fillon të dërgojë më pak mesazhe, të anulojë plane ose të duket i largët dhe misterioz, interesi juaj rritet. Papritmas, ata bëhen personi që nuk mund të ndaloni së menduari, edhe nëse më parë nuk ju interesonte shumë.
Kjo tërheqje nuk lidhet thjesht me shije të diskutueshme apo tërheqje ndaj personave emocionalisht të paarritshëm.
Ekspertja e psikoterapisë Angela Sitka shpjegon se kjo është një përvojë shumë e zakonshme: ne jemi qenie njerëzore që ndiejmë interes për shumë njerëz, dhe një pjesë e tyre nuk do të na përgjigjet me të njëjtën intensitet.
Megjithatë, nëse vini re një model ku ndiheni tërhequr vetëm nga partnerë të largët, të pasigurt ose të mbyllur emocionalisht, ia vlen ta shqyrtoni më afër këtë fenomen. Disa arsye psikologjike se pse truri ynë lidhet me pasiguri janë:
1. Stili i lidhjes me ankth
Personat me këtë stil janë më të ndjeshëm ndaj shenjave të refuzimit, një mesazh i vonuar, një plan i anuluar ose ndryshim i lehtë në ton. Nëse keni pasur prindër të largët ose të munguar emocionalisht, mund të keni mësuar se dashuria dhe vëmendja nuk janë të garantuara, gjë që bën sistemin nervor të jetë gjithmonë në gatishmëri për afërsi, por edhe për braktisje. Ky ankth dhe pasiguri mund të intensifikojnë tërheqjen dhe të duket si “kimia” apo pasion.
2. Çështjet me angazhimin
Disa persona ndihen të shqetësuar nga afërsia emocionale, intimiteti ose rreziku për t’u lënduar. Kur partneri tërhiqet, kjo mund të krijojë ndjesinë e kontrollit dhe të sigurisë, duke e bërë marrëdhënien më tërheqëse në mënyrë paradoksale.
3. Tërheqja e personave “të paarritshëm”
Ne kemi tendencë të vlerësojmë më shumë atë që duket e rrallë ose e paarritshme. Marrja e vëmendjes së tyre, edhe në doza të vogla, mund të na bëjë të ndihemi të veçantë.
4. Fantazia e potencialit të tyre
Shpesh ne idealizojmë partnerin, duke i atribuar cilësi që mund të mos ekzistojnë realisht. Për shembull, mund të përputhet me disa kritere që ne kërkojmë, karrierë e mirë, familje e përkryer, vlera të përbashkëta edhe pse sjellja e tyre aktuale është e ftohtë.
5. Përforcimi i ndërprerë
Kur dikush tregon pak vëmendje dhe pastaj tërhiqet, truri ynë lidhet me një lloj “lojë shpërblimi të paparashikueshëm”.
Një mesazh i vogël pas disa ditësh injorimi mund të duket shumë i rëndësishëm dhe të na bëjë të kërkojmë më shumë vëmendje, duke krijuar një cikël të ngjashëm me varësinë.
Për të shmangur këtë model, është e rëndësishme të reflektoni mbi ndjenjat tuaja: Çfarë ndodh në trupin tuaj kur nuk ju përgjigjen? Çfarë do të ndodhte në marrëdhënie nëse ndaloni të bëni përpjekje të vazhdueshme? Konsistenca dhe reciprociteti janë tregues më të mirë për një lidhje të shëndetshme dhe të qëndrueshme, edhe pse mund të duken më pak tërheqëse./ Self.com
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje