Nga Gazeta ‘Si’- “Ende nuk e kemi zgjidhjen, por do t’ju njoftojmë së shpejti”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit të zhvilluar me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Sipas Kurtit, takimi ishte “në një atmosferë konstruktive”, ndërsa çdo zhvillim i ri tha se do të bëhet i ditur për publikun.
Takimi vjen teksa afati kushtetues për përmbylljen e procesit të zgjedhjes së presidentit po afrohet, dhe pas raundit të parë të bisedimeve mes Kurtit dhe Abdixhikut, kur nuk u arrit konsensus mes partive.
“S’kishte emra, s’kishte propozime, s’kishte vullnet për konsensus. Imponimet nuk janë zgjidhja adekuate për LDK-në”, tha Abdixhiku pas takimit të 2 marsit, duke shtuar se LDK-ja mbetet e hapur për diskutime të mëtejme, por skeptike ndaj idesë që secila parti të shkojë në Kuvend me kandidat të vetin.
Abdixhiku kishte theksuar se për LDK-në gara me disa kandidatë është “procedurë e parashikuar për të dështuar” dhe mund të çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka shprehur dëshirën për një mandat të dytë, por Lëvizja Vetëvendosje, që e kishte propozuar në mandatin e parë, nuk e ka përmendur emrin e saj si kandidate. Partitë opozitare e kanë kritikuar Osmanin për, siç kanë thënë, njëanshmëri në favor të Qeverisë.
Në javët e fundit, gatishmëri për kandidim ka shprehur edhe ish-ministri Arsim Bajrami, ndonëse pa mbështetje të qartë nga partitë tjera.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, për të propozuar një kandidat për president nevojiten të paktën 30 nënshkrime deputetësh. Lëvizja Vetëvendosje i ka 57 deputetë, ndërsa asnjë parti tjetër nuk i ka e vetme 30 vota.
Për zgjedhjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota në njërin nga dy rundet e para të votimit, ose 61 vota në rundin e tretë, nga gjithsej 120 deputetë sa ka Kuvendi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje